Përmbysje historike për Boston, eliminohen Bulls

Basketboll

Përmbysje historike për Boston, eliminohen Bulls

Më: 29 prill 2017 Në ora: 12:48
Boston-Bulls

Kualifikim historik i Boston, që përmbysi disavantazhin 2-0 të ndeshjeve përballë Chicago Bulls dhe siguron një biletë në gjysmëfinalen e Konferencës së Lindjes.

Me suksesin 105-83 në ndeshjen e gjashtë, Celtics e mbyllën serinë me rezultatin e përgjithshëm 4-2. Boston bëhet skuadra e katërt në historinë e basketbollit amerikan që kualifikohet në turin tjetër të fazës “play off”, pasi i nisi duelet me dy humbje në shtëpi.

Tashmë Celtics i pret sfida me Washington, me skuadrën kryeqytetase që triumfoi 4-2 në duelet çerekfinale me Atlanta Hawks. Në ndeshjen finale, Wizards regjistruan një sukses me shifrat 115-99, ku shkëlqeu John Wall me 42 pikë dhe 8 asist.

Ndërkohë, vazhdon beteja ndërmjet Los Angeles Clippers dhe Utah Jazz. Skuadra kaliforniane fitoi ndeshjen e gjashtë me rezultatin e ngusht 98-93 dhe për të përcaktuar fituesin e këtij çifti është e nevojshme ndeshja e shtatë.

Pavarësisht paraqitjes së jashtëzakonshme nga Gordon Hayward, autor i 31 pikëve, 4 asist dhe 7 rikuperimeve nën tabelë dhe 22 pikëve nga George Hill, Utah nuk arriti të përballonte kundërshtarët. Për Clippers shkëlqeu Chris Paul me 29 pikë të realizuara dhe 8 asist, por edhe Deandre Jordan që me 18 topa të rikuperuar nën tabelë ishte i pakalueshëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat