Rugova: Finales nuk i dihet, por Prishtina ka përvojën

Basketboll

Rugova: Finales nuk i dihet, por Prishtina ka përvojën

Nga: Kemajl Goca Më: 11 maj 2017 Në ora: 11:08
Fisnik Rugova

Interesant ka qenë fakti, se të gjithë kishin pritur se në finalen e  madhe të play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll, do të ndeshen Sigal Prishtina - Peja, megjithatë një parashikim i tillë nuk ndodhi. Bashkimi nga Prizreni me lojëra të mira që shfaqi sidomos në pjesën e fundit të kampionatit veçmas në gjysmëfinalen e play-off-it, e rrëzoi Pejën dhe tani do të ndeshet me Sigal Prishtinën. Pas tetë vjetësh Bashkimi është në finale me pretendime që ta fitojë kampionatin.  

Ndërkaq, basketbollisti i kampionit në fuqi, Sigal Prishtina, Fisnik Rugova, e pranon se e kanë pritur Pejën në finale dhe jo Bashkimin. Megjithatë, sporti nuk do të ishte i bukur sikur gjithmonë të fitonin vetëm favoritët! “Jemi me meritë në finale, do të luajmë me Bashkimin. Kemi një mundësi të mirë që ta fitojmë titullin, por nuk do të jetë aspak lehtë siç e parashikojnë edhe disa persona, si ne si Prizreni do të japim çdo gjë, por nuk mendoj që jemi favoritë i madh që të fitojmë.

Gjithsesi duhet t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të bëjmë më të mirën tonë që ta fitojmë titullin”, ka thënë Rugova për gazetën kombëtare “Bota sot”. Ku e sheh më shumë forcën e Prishtinës, çka e veçon nga Bashkimi? “Besoj që kemi me shumë lojtarë me përvojë, edhe normalisht numri më i madh i lojtarëve vendorë. Por në finale çdo kush mundohet të jep 100 për qind nga vetja”, përgjigjet basketbollisti i Prishtinës, i cili është optimist se do ta mbrojnë titullin e kampionit. Prishtina më shumë është përgatitur për Pejën se sa për Bashkimin, a mendoni se kjo ka qenë një befasi? “Të gjithë kanë pritur finalen me Pejën, por ja që gjërat ndërrojnë në basketboll, tani përgatitemi për Bashkimin”, thotë Rugova. Në fakt, skuadra me tri të fituara do të stoliset me titullin e kampionit. Sigal Prishtina dhe Bashkimi premtojnë një spektakël në play-off dhe vështirë është të parashikohet se cili do të jetë më afër titullit, ani se kryeqytetasit kanë një ndeshje me shumë në konak të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat