Sinani: Një humbje që na zgjon nga gjumi

Basketboll

Sinani: Një humbje që na zgjon nga gjumi

Nga: Kemajl Goca Më: 18 maj 2017 Në ora: 18:37
Sinani

Kur takohen skuadrat e mëdha, vështirë është të parashikohet edhe fituesi. Në ndeshjen e dytë finale të play-off-it të Superligës së Kosovës në basketboll, Bashkimit nuk i ndihmoi fusha e saj, duke u mundur me rezultat 78:73 nga kampioni në fuqi Sigal Prishtina, kësisoj u barazuan në seri të fitoreve me rezultat 1:1.  Tani gjithçka është e qartë dhe asgjë nuk i dihet deri në fund, megjithëse prishtinasit kanë një ndeshje më shumë si vendas dhe kjo i jep edhe një lloj përparësie, ani se në finalet e mëdha asgjë nuk i dihet. Basketbollisti i shquar i Bashkimit, Gazmend Sinani,  tha se ka qenë një lojë shumë e mirë, por i vjen keq që pësuan humbje në një atmosferë vërtet për lakmi në palestrën e sportit në Prizren.

“Mendoj që ishte një lojë shumë e mirë, te dy skuadrat luajtëm mirë, në fund e lëshuam paksa në mbrojtje dhe Prishtina përfitoj në këtë rast dhe e shfrytëzuan mirë. Ende s’ka përfunduar asgjë, shpresoj nesër mi korrigjua gabimet që i bëmë dhe me fituar”, ka thënë Sinani për gazetën kombëtare “Bota sot”.  Në ndeshjen e tretë finale, Bashkimi do të luaj (nesër 19.00) në kryeqytet me Prishtinën, ku e sheh forcën e skuadrës tuaj? “Shpresoj që do ia dalim me fituar, sepse ishte një humbje që na zgjon nga gëzimi i ndeshjes së parë dhe do të bëjmë çmos për me fituar në Prishtinë. Nëse luajmë me zemër dhe nën kornizat e urdhrave të trajnerit, mendoj që do të fitojmë”, shpreh optimizmi Sinani. Skuadra me tri të fituara do të stoliset me titullin e kampionit, por tani rezultat është baras (1:1).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat