Beqiroviqët iu mbajnë ligjërata trajnerëve tanë, por a ishin të kënaqur?

Basketboll

Beqiroviqët iu mbajnë ligjërata trajnerëve tanë, por a ishin të kënaqur?

Më: 29 maj 2017 Në ora: 11:51
Mehmed Beqiroviq gjatë një seminari

Në fundjavë në Prishtinë është mbajtur Klinika Ndërkombëtare për Trajnerë të basketbollit.

Klinika është organizuar nga Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) në bashkëpunim me Shoqatën e Trajnerëve të Basketbollit të Kosovës (SHTBK), ndërsa kanë ligjëruar Mehmed e Sani Beqiroviq nga Sllovenia, Arben Krasniqi dhe Korab Maloku e Besnik Podvorica nga Kosova.

Kjo Klinikë është e para që është organizuar në kuadër të Programit për Edukim dhe Licencim të Trajnerëve, program ky i ri i FBK-së dhe SHTBK-së, në kuadër të të cilit do të organizohen klinika, seminare dhe punëtori, e në fund edhe testime për trajnerët, në mënyrë që në fund të shtatorit edhe të bëhet licencimi i tyre për edicionin e ardhshëm, 2017/18.

Në këtë Klinikë kanë qenë të pranishëm 70 trajnerë, nga gjithsej rreth 100 sa numëron data baza e Programit për Edukim dhe Licencim. Trajnerët që nuk kanë qenë të pranishëm dhe ata që do të mungojnë në aktivitetet e radhës në kuadër të këtij Programi do të hasin në vështirësi të mëdha për t’u pajisur me licencë për edicionin e ardhshëm.

Trajnerët Mehmed e Sani Beqiroviq janë ndarë të kënaqur me rrjedhën e Klinikës dhe me gjithë atë që kanë parë për tri ditë radhazi në vendin tonë.

Mehmed Beqiroviq: “Jam shumë i kënaqur që më është dhënë rasti të vij në Kosovë për të ligjëruar dhe për të kontribuar në zhvillimin e trajnerëve në këtë vend. Falënderoj Federatën e Basketbollit të Kosovës që më ka dhënë këtë mundësi, sepse me të vërtetë ka qenë nder i madh për mua të jem këtu. Ka qenë një Klinikë dy ditore, intensive, ku kam pasur rastin të ndajë përvojën time me trajnerët e Kosovës dhe me këtë rast ju kam dhënë disa këshilla, të cilat shpresoj se në të ardhmen ata do t’i kenë parasysh, por edhe do t’i përdorin. Puna e trajnerit është shumë e vështirë, sepse kërkon përkushtim maksimal, fokusim, investim në vetvete dhe çfarë është më e rëndësishmja kërkon vullnet dhe pozitivitet për të bërë diçka për veten. Unë jam i bindur se Federata me krijimin e këtij Programi dhe me përvojën e Tone Krump do të bëjë një punë të mirë dhe në të ardhmen Kosova do të ketë mjaftueshëm trajnerë vendorë për të udhëhequr skuadra dhe Përfaqësuese, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.

Sani Beqiroviq: “Jam shumë i kënaqur që kam ardhur në Kosovë dhe jam i kënaqur me gjithë atë që kam parë për tri ditë sa kam qëndruar këtu. Kam pasur rastin të takoj njerëz që udhëheqin Federatën, Shoqatën e Trajnerëve dhe trajnerë që udhëheqin ekipe të ndryshme në këtë vend dhe me këtë rast e kam krijuar edhe një pasqyrë për gjendjen në basketbollin në Kosovë, për të cilën besoj se me punë të madhe dhe të përkushtueshme sikur tani, do të ketë një të ardhme të ndritur. Sa i përket Klinikës mund të them se jam i kënaqur me numrin e pjesëmarrësve, jam i kënaqur me organizimin, me demonstrimin e fëmijëve dhe me trajnerët e pyetjet e tyre që i kanë bërë rreth ligjëratave që unë i kam pasur. Më vjen shumë mirë që kam ardhur në Kosovë, sepse kështu edhe unë kam fituar përvojë në fushën time të re, pra atë të zejes së trajnerit”.

Duhet theksuar se Mehmed Becirovic në vitin 2010 ka qenë përzgjedhës i Përfaqësueses së Sllovenisë në Kampionatin Botëror të mbajtur në Stamboll dhe Sani Bewiroviw ka qenë pjesë e Përfaqësueses sllovene, derisa ai ka luajtur edhe për skuadra me renome në Evropë si, Union Olimpija, CSKA Moska, Benetton Treviso etj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat