Golden State fiton spektaklin e parë të finaleve kundër Clevelandit

Basketboll

Golden State fiton spektaklin e parë të finaleve kundër Clevelandit

Më: 2 qershor 2017 Në ora: 05:41
Kujtojmë që Cleveland Cavaliers në finale të Konferencës Lindore triumfoi ndaj Boston Celtics me katër fitore dhe një humbje.

Golden State Warriors e ka fituar ndeshjen e parë të serive finale të NBA duke mposhtur Cleveland Cavaliers me rezultat 113-91, në takimin e zhvilluar në Oracle Arena në Oakland.

Nikoqirët e nisën më mirë sfidën duke shënuar pesë pikë më shumë se kundërshtari në çerekun e parë (35:30).

Mysafirët u përpoqën t’i ndryshonin gjërat në fraksionin e dytë, mirëpo edhe në këtë pjesëlojë, ishin vendasit ata që i shënuan tri pikë më shumë (25:22), për të shkuar në pushim me rezultat 60-52.

Në çerekun e tretë, Golden State e ngriti akoma më shumë epërsinë, pasi në këtë pjesë shënoi 13 pikë më shumë se Clevelandi (33:20).

Mysafirët nuk arritën t’i ndryshonin gjërat në çerekun e fundit (20:19), ashtu që Golden State Warriors triumfoi me 22 pikë epërsi dhe është në avantazh prej 1-0 në serinë finale të NBA. Ndërkaq, pritet të shihet se cili do të jetë reagimi i Cleveland Cavaliers në ndeshjet në vijim.

Ky është sezoni i tretë radhazi që  Cavaliers dhe Warriors luajnë në finale të NBA. Në vitin 2015 triumfoi Golden State, ndërsa në vitin 2016, Clevelandi fitoi titullin e parë.

Ndeshjet finale të këtij viti kanë filluar më 1 qershor, ndërsa takimi i fundit i mundshëm (përballja e shtatë) do të zhvillohet më 18 qershor (e diel), në rast se fituesi nuk vendoset më herët.

Janë nga dy ditë ndërmjet ndeshjeve, pos në ndeshjet tre dhe katër, kur ka vetëm një ditë në mes. Golden State është nikoqir në ndeshjet 1, 2, 5 dhe 7, kurse Clevelandi luan në shtëpi në përballjet 3, 4 dhe 6.

Kujtojmë që Cleveland Cavaliers në finale të Konferencës Lindore triumfoi ndaj Boston Celtics me katër fitore dhe një humbje.

Ndërkaq në finalen e Konferencës Perëndimore, Golden State Warriors eliminoi San Antonio Spurs me katër fitore dhe asnjë humbje.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat