Ndërrojnë shtetësinë për kombëtaren e Kosovës

Basketboll

Ndërrojnë shtetësinë për kombëtaren e Kosovës

Më: 21 qershor 2017 Në ora: 14:07
Gëzim Morina e Erjon Kastrati

Sot Federata e Basketbollit e Sllovenisë dhe Federata e Basketbollit e Kosovës kanë arritur marrëveshje që Morina dhe Kastrati tash e tutje të bartin fanellën e Kosovës. Kastrati sivjet ka qenë i ftuar në listën e gjerë të Sllovenisë nga përzgjedhësi Igor Kokoskov, por tani ai do të jetë i fokusuar vetëm për Kosovën. Kjo marrëveshje e arritur ndërmjet dy federatave është bërë edhe me pëlqimin e Morinës dhe Kastratit, të cilët janë treguar të gatshëm të luajnë për Kosovën.

Të dy basketbollistët kanë qenë pjesë e Sllovenisë, ndërsa ata tani do të ndërrojnë nënshtetësinë e basketbollit, nga ajo sllovene në atë të Kosovës. Kjo pritet të bëhet në ditët në vazhdim pas dorëzimit të dokumentacionit në FIBA, gjë që do të ndodh sot. 

Gëzim Morina, ka thënë: “Jam mjaft i lumtur që ka ardhur kjo ditë, sepse dëshira ime gjithnjë ka qenë gjithnjë të luaj për Kosovën, pra për vendlindjen time. E falënderoj Federatën e Sllovenisë për gjithë atë që ka bërë për mua, qysh nga koha kur unë jam shpërngulur atje dhe deri në ditën e sotme. Po ashtu dua të theksoj se sa herë kam pasur nevojë për ta, më janë gjendur pranë, pra janë treguar tejet korrekt dhe kjo e dëshmon më së miri fakti se më lejuan të kthehem për të mbrojtur ngjyrat e atdheut tim. Tani unë premtoj se do të bëj më të mirën për Përfaqësuesen e Kosovës, duke filluar nga faza përgatitore e tutje”.

Erjon Kastrati, thotë: “Unë kam nderin dhe kënaqësinë që i jam bashkuar Përfaqësueses së Kosovës. Ky është një lajm shumë i mirë për mua. Në të njëjtën kohë dua të falënderoj Federatën Sllovene për korrektësinë e treguar ndaj meje, por edhe për gjithë atë që kanë bërë për vite të tëra për mua. Ka qenë kënaqësi për mua që e kam bartur fanellën e Sllovenisë, por tani i gjithë fokusi im është tek Përfaqësuesja e Kosovës, ku unë premtoj se do të bëjë më të mirën dhe do të jap 100% tim”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat