Kosova fitoi ndaj Sllovakisë

Basketboll

Kosova fitoi ndaj Sllovakisë

Më: 18 korrik 2017 Në ora: 19:26
Dardan Berisha në aksion

Kosova ka shënuar fitore në ndeshjen e parë miqësore me Sllovakinë nga dy sa do ti zhvillojë në Bratisllavë. Kosova në këtë ndeshje fitoi me rezultat 69:61, që vlerësohet si shumë e rëndësishme për këtë fazë të përgatitjeve.

Kombëtarja jonë kishte epërsinë në rezultat në pjesën më të madhe të ndeshjes dhe arriti që çerekun e parë ta përfundojë me rezultat 18:17, kurse pas 20 minutave epërsia e Kosovës ishte 37:33.

Në fillim të pjesës së dytë, Kosova pati një krizë në lojë dhe kjo i mundësoi Sllovakisë që të dalë për disa minuta në epërsi, por një seri e shënimeve 9:0 e ktheu rezultatin në të mirë të Kosovës, që me pak oscilime e mbajti deri në fund, kur edhe fitoi me 8 pikë epërsi. Fisnik Rugova shënoi 8 pikë në çerekun e parë dhe ndeshjen e përfundoi me 14 pikë gjithsej.

Dardan Berisha ndeshjen e përfundoi me 18 pikë dhe 7 asistime ishte autor i disa shënimeve vendimtare në çerekun e katërt, kurse Erjon Kastrati e përfundoi ndeshjen me 12 pikë. Ekipi i udhëhequr nga trajneri Brad Greenberg nesër e zhvillon ndeshjen e dytë me Sllovakinë, që fillon në ora 16:30.

Para Sllovakisë, Kosova kishte zhvilluar një ndeshje miqësore me Austrinë në Kapfenberg, ku kishte fituar kombëtarja e Austrisë, ndonëse ndeshja u karakterizua me probleme në referim që ndikuan në rrjedhën e saj dhe në rezultat.

Kosova i ka të aranzhaura edhe dy miqësore me Shqipërinë në këtë fundjavë dhe më pas ekipi do të zhvillojë stërvitje në Prishtinë deri në fillim të ndeshjeve të para kualifikimeve për Kupën e Botës Kina 2019.

Në para kualifikime Kosova është në grup ma Maqedoninë dhe estonin, kurse ndeshjen e parë e zhvilonë kundër Maqedonisë, më 2 gusht në Prishtinë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat