Kosova në fund pësoi disfatë nga Sllovakia

Basketboll

Kosova në fund pësoi disfatë nga Sllovakia

Më: 19 korrik 2017 Në ora: 18:58
Kombëtarja e Kosovës në basketboll

Kombëtarja e Kosovës në basketboll, në ndeshjen e dytë miqësore të zhvilluar me Sllovakinë brenda dy ditëve në Bratisllavë ka qenë e pafat në sekondat fundit të ndeshjes, pas 40 minutave basketboll të fortë dhe interesant. Sllovakia e fitoi ndeshjen me rezultat 75:73, pas një finishi dramatik, në të cilin Kosova e pati fatin në duart e veta.

Basketbollistët e Kosovës ishin në posedim të topit në 17 sekondat e fundit, kur rezultati ishte 73:73 dhe pas një gabimi personal të shkaktuar ndaj Dardan Berishës, trajneri Brad Greenberg kërkoi time aut dhe djelmoshat tanë kishin rreth 8 sekonda për të ekzekutuar aksionin e fundit. Sllovakët u vendosën në mbrojtje zonale në fund, topin e mori Alban Veseli, i cili në aksionin e fundit nuk kishte fat në tentimin për dy pikë.

Nikoqirët shënuan vetëm një nga dy gjuajtjet e lira dhe Dardan Berisha provoi nga gati 20 metra, por tentimi i tij preku harkun dhe vendësit fituan me 2 pikë dallim. Përndryshe Kosova e fitoi çerekun e parë me 6 pikë dallim 24:18, por në fund të çerekut të parë dhe në fillim të çerekut të dytë, vendësit patën një seri prej 15:0 dhe kjo më pas bëri që Përfaqësuesja jonë të ndjekë rezultatin.

Pjesa e dytë u përshkua me rezultat të ngushtë dhe asnjëri ekip nuk kishte asnjëherë epërsi më të madhe se 4 pikë, kurse pas finishit dramatik, vendësit fituan. Më të dalluarit në radhët e Përfaqësueses sonë ishin Dardan Berisha me 25 pikë, Lis Shoshi me 16 dhe Alban Veseli me 12 pikë.

Në anën tjetër te Sllovakia më efikasit ishin Andre Jones me 19 pikë, Mario Ihring me 11 dhe Richard Korner me 10 pikë. Më 2 gusht, Kosova është nikoqire e Maqedonisë, kurse më 9 gusht është mysafire e Estonisë, ndërsa më 12 gusht po ashtu luan si mysafire ndaj Maqedonisë, kurse më 19 gusht e pret Estoninë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat