FBK organizon kampin në bashkëpunim me ambasadën e SHBA-së dhe FIBA-n

Basketboll

FBK organizon kampin në bashkëpunim me ambasadën e SHBA-së dhe FIBA-n

Më: 24 gusht 2017 Në ora: 11:09
Kampi

Në Prishtinë në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe me FIBA-n është organizuar Kampi i të Rinjve (deri në moshën 15 vjece) në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave.

Në këtë Kamp, i cili është organizuar në kuadër të projektit për Zhvillim të Gjeneratave të Reja të FIBA-s, morën pjesë 60 fëmijë nga të gjitha qytetet e Kosovës, 12 Alumni (basketbollistë/basketbolliste dhe lider të etnive të ndryshme që janë pjesë e një programi të sportit të US Embassy në Prishtinë), 12 trajnerë vendor dhe trajneri amerikan, Chris Dial.

Kampi ishte njëditor dhe kishte për qëllim masovizimin e këtij sporti ndër gjenerata të reja, por edhe socializimin e fëmijëve, trajnerëve dhe të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij eventi.

Në Kamp në emër të FBK-së, hapjen solemne të Kampit e ka bërë, u.d. Sekretarja e Përgjithshme , Elvira Dushku, e cila ndër të tjera ka folur edhe për qëllimin e organizimit të këtij kampi.

Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme, FBK: “Falë bashkëpunimit të ngushtë me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe me FIBA-n, ne kemi arritur që sot të shijojmë një ditë të tërë me basketboll, por në të njëjtën kohë ky është një rast i mirë për të gjithë pjesëmarrësit që të shoqërohen me njëri-tjetrin pa marr parasysh prej nga vijnë apo cfarë etnie janë.

Për FBK-në është shumë e rëndësishme që sa më shumë fëmijë të interesohen për ta praktikuar këtë sport, i cili tani pas suksesit historik të Përfaqësueses A të Kosovës, pritet të ketë rritje të madhe të interesimit nga të gjitha anët”.

Erin Molnar, përgjegjëse e granteve në Ambasadën e SHBA-së  në Prishtinë: “Për ne është kënaqësi e madhe të jemi pjesë e një projekti të përbashkët me FBK-në dhe FIBA-n, në të cilin ne i promovojmë edhe Alumni-t tanë, e që tani në këtë projekt i kemi 12 të tillë nga etni të ndryshme. Unë jam shumë  e kënaqur me gjithë atë që kam parë sot dhe besoj se edhe 4 kampet e tjera që do t’i organizojmë në javët në vazhdim do të jenë të tilla, dhe kështu do të kemi rastin të shohim sa më shumë fëmijë duke e praktikuar basketbollin”.

Chris Dial, trajner i Kampit: “Unë gjithnjë jam i lumtur kur kthehem në Kosovë dhe sidomos kur punoj me fëmijë, të cilët e duan sportin. Federata, US Embassy dhe FIBA janë duke e bërë një punë të mrekullueshme për gjeneratat e reja, të cilat tani kanë mundësi të shumta për të marr pjesë në kampe të tilla si ky, ku edhe cdo basketbollist apo basketbolliste në të shumtën e rasteve i merr hapat e parë, dhe kështu më pas dashurohet në këtë sport”.

Kampi në Prishtinë është organizuar në ambientet e lagjes “Marigona Rezidence” , ndërsa kampet e tjera në kuadër të këtij projekti të përbashkët pritet të organizohen në javët në vazhdim në Gracanicë, Podujevë, Pejë dhe Kaçanik.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat