Spanja në çerekfinale, përballet me Gjermaninë

Basketboll

Spanja në çerekfinale, përballet me Gjermaninë

Më: 10 shtator 2017 Në ora: 20:24
Spanja Turqia

Spanja regjistron fitoren e gjashtë në po kaq ndeshje në edicionin e 40 të kampionatit evropian të basketbollit për meshkuj, teksa mundi Turqinë 73-56. Ndonëse me “frena dore” kampionët në fuqi dominuan ndeshjen nga fillimi në fund, duke siguruar kualifikimin për në fazën cerekfinale, ku skuadra e Sergio Scariolo-s do të ndeshet me përfaqësuesen e Gjermanisë. Me plot 7 lojtarë nga NBA dhe me vëllezërit Gasol në përbërje ekipi spanjoll konsiderohet me të drejtë si skuadra për t’u mundur në këtë aktivitet, por natyrisht dicka e tillë është e kuptueshme duke patur parasysh faktin që nën drejtimin e 56-vjecarit lombard përfaqësuesja iberike ka fituar 3 nga 4 evropianët e fundit.

Spanja u shkëput që në fillim 7-2, për të mbyllur periodën hapëse me shifrat 19-10, ndërsa në interval kampionët në fuqi shkuan me rezultatin 33-25. Ndeshja u zhvillua në “Sinan Erdem Dome” të Stambollit, përpara 10.000 spektatorëve dhe nën përkrahjen e vazhdueshme të tifozëve të zjarrtë turq vendasit reaguan duke fituar 10′ e tretë 18-16. Perioda e fundit nisi pra me shifrat 49-43, madje pas koshit për dy Turqia ngushtoi diferencën në vetëm katër pikë, sidoqoftë që nga ai moment Spanja nuk toleroi më dhe u shkëput përfundimisht duke mbyllur krejt takimin me avantazhin maksimal 73-56. Te skuadra iberike spikatën Ricky Rubio me 15 pikë, Pau Gasol me 7 rebound si dhe Sergio Rodriguez me 9 asist, ndërsa te Turqia më të mirët ishin Furkan Korkmaz me 20 pikë dhe Semih Erden me 10 topa të kapur pranë tabelës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat