Në organizim të FBK-së, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë janë organizuar Kampe të të rinjve

Basketboll

Në organizim të FBK-së, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-ve në Prishtinë janë organizuar Kampe të të rinjve

Më: 17 shtator 2017 Në ora: 12:49
Pamje e kampit

Të shtunën në Pejë, Podujevë dhe Kaçanik në organizim të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe në bashkëpunim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë janë organizuar Kampe të të Rinjve (deri në moshën 15 vjeçe) në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave.

Në këto Kampe kanë marr pjesë gjithsej 150 fëmijë, pra në të tri këto qytete, pastaj 10 Alumni (basketbollistë/basketbolliste dhe lider të etnive të ndryshme që janë pjesë e një programi të sportit të US Embassy në Prishtinë) dhe 6 trajnerë vendor.

Kampet kanë qenë njëditore dhe kishin për qëllim masovizimin e këtij sporti ndër gjenerata të reja, por edhe socializimin e fëmijëve, trajnerëve dhe të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij eventi.

Në Kampe janë organizuar lojëra të ndryshme, ku edhe ka pasur shpërblime të ndryshme, ndërsa argëtimi nuk ka munguar për asnjë çast.

Ushtruesja e detyrës e Sekretares së Përgjithshme  të FBK-së, Elvira Dushku, e cila ishte pjesë e këtyre kampeve, e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin me Komunat në të cilat janë mbajtur kampet, si dhe bashkëpunimin me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, e cila edhe ua ka besuar një projekt të tillë.

Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme, FBK, tha: “Falë bashkëpunimit të ngushtë me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë ne kemi arritur që sot të shijojmë një ditë të tërë me basketboll në tri qytete të ndryshme të Kosovës, por në të njëjtën kohë ky është një rast i mirë për të gjithë pjesëmarrësit që të shoqërohen me njëri-tjetrin pa marr parasysh prej nga vijnë apo çfarë etnie janë. Për FBK-në është shumë e rëndësishme që sa më shumë fëmijë të interesohen për ta praktikuar basketbollin”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat