Pas një vere shumë intensive dhe të lodhshme

Basketboll

Pas një vere shumë intensive dhe të lodhshme

Më: 1 tetor 2017 Në ora: 16:11
Erolld Belegu

Pas një vere shumë intensive dhe të lodhshme, sot me kënaqësi dhe me krenari jemi në gjendje të flasim edhe për një sukses te FBK-së – marrëveshjen me kompaninë IP, për sponsorim të Superligës. 
Përderisa në FBK flasim për suksese e arritje, situata në shumicën e klubeve të IP Superligës së Kosovës është shumë e rëndë. KB Peja dhe KB Trepça mezi po mobilizohen për te filluar garat, ndërsa shumë klube tjera hyjnë me ambicie të kufizuara në këtë kampionat. 
Arsyeja është vetëm një - kryesitë e këtyre klube nuk po arrijnë të sigurojnë sponsorë për të mirëmbajtur klubin! 
Më herët ndërkaq, me vite (kur kanë pasur para) nuk kanë investuar në gjenerata të reja , tash as nuk kanë lojtarë te vet e as nuk kanë mundësi me i "ble" shërbimet e lojtarëve te huaj. 
Një gjë duhet bërë të qartë të gjithëve. FBK është shërbim i klubeve dhe unë si Kryetar, Bordi dhe zyra e FBK kemi për detyrë të organizojmë garat në bazë të Statutit dhe Propozicioneve të Garave të aprovuara po nga këto klube. FBK nuk mundet dhe nuk guxon të përzihet në punë të brendshme të klubeve e aq më pak në mënyrën si ata menaxhojnë me para apo njerëz brenda klubit. Rrjedhimisht, ne nuk jemi të thirrur të gjejmë sponsorë të klubeve. Në anën tjetër klubet janë të obliguara të respektojnë rregulloret që së bashku i kemi aprovuar dhe në këtë pikë FBK është e thirrur të veprojë dhe mos të tolerojë ose privilegjojë asnjë klub. 

Por,derisa në FBK ,në katër vitet që ne e menaxhojmë federatën, është shtuar buxheti, stafi , puna,sukseset e besa edhe organizimi i gjithmbarshëm, aq sa edhe FIBA na jep komplimente për rezultate dhe ambientin e punës (citoj z Kotleba : "FBK ka zyrat më të mira në botë dhe stafin e ri dhe energjik") ,tek klubet, përjashto KB Prishtina dhe KB Bashkimi, situata është butësisht thënë modeste, e në disa raste edhe buzë falimentimit total, madje në çdo aspekt. 
Me lojtarë të rinj punohet fare pak. Nuk ka mjete as për pagesa bazike për pjesëmarrje në gara e lëre më për paga të lojtarëve. Aq më shumë, ka klube që kanë obligime nga edicionet e kaluara prej disa dhjetëra deri në disa qindra mijëra euro!!! 
Nuk kanë organizim, nuk mbajnë kuvende me vite apo i mbajnë sa për të plotësuar obligimin ligjor, ndërsa ajo që është më me rëndësi, në momentin që përfundon kampionati (prill ose maj) deri në shtator janë në gjumë të thellë për tu zgjuar në shtator e për të kërkuar afate shtesë dhe shtyrje të kampionatit që të mund të bëjnë "diçka" brenda ditëve. 
Ne sot,kemi siguruar edhe një sponsor të ri ,atë për Superligën e Kosovës në basketboll. Por,ky lajm është shumë i mirë për FBK por realisht nuk ka ndonjë ndikim te buxhetet e klubeve. 
Nëse pyeteni përse – ju tregoj! 
Për shkak se FBK gjithmonë ka paguar zyrtarët e ndeshjeve NË TË GJITHA LIGAT E KOSOVËS. Derisa, para tri vitesh paguheshin vetëm referimi i Superligës ,ne morëm përsipër që edhe në ligën e parë edhe në 6 ligat e grup moshave të reja ti heqim shpenzimet për referim dhe të ju mundësojmë klubeve garim më të lehtë. 
FBK në vazhdimësi ka përkrahur klubet e femrave, nëpërmjet fondeve të MKRS, me nga 2.000 euro në vit(përpos referimit), FBK në shumë raste ka siguruar fanella e topa për të gjitha ekipet e grup moshave të reja,në shumë qytete kemi siguruar edhe sallë për stërvitje të tyre e një periudhë edhe kemi siguruar nëpërmjet Kuvendeve Komunale pagesa për trajnerë(si p.sh. në Pejë,Gjakovë, Vushtrri, Prizren..). Dhe së fundi vitin që u përmbyll edhe kemi stimuluar fituesit e të gjitha ligave me mbi 35.000 euro mjete financiare. 
Dhe për çudi, sa më shumë FBK ndihmon klubet, ato zhyten në krizë gjithnjë e më të thellë!? 
A thua FBK duhet të sigurojë edhe pagat për të njëjtit? 

Tërë këtë nuk e shkrova për të kritikuar por për të kërkuar ndihmë në një projekt madhor të përbashkët. Klubet kanë nevojë për njerëz te vullnetit të mirë dhe ata që kanë mundësi të ju ndihmojnë edhe materialisht. Klubeve iu duhet ndihma e menjëhershme e qeverive lokale, por sportit mbi të gjitha i duhet ndihma që mund ta jap ligji për sponsorim i cili duhet të aplikohet mu ashtu sikurse është aprovuar. Ky ligj është aprovuar që 9 muaj por qeveria dhe organet tatimore deri më sot kanë bërë çdo gjë për të bllokuar implementimin e tij! 
Dua të ftoj edhe KM Ramush Haradinaj për përfshirje direkte. Ky ligj ka vetëm një pengesë - vullnetin për implementim. Asnjë tjetër. 
E anëtarët e FBK,klubet që më kanë nderuar duke më dhënë besimin për të udhëhequr FBK, duhet po ashtu të reflektojnë, të mobilizohen, kërkojnë ndihmë por edhe të jenë të gatshëm për të afruar njerëz tjerë të vullnetit të mirë për ti ndihmuar në këto kohë të vështira. E disa ,nëse janë lodhur,duhet edhe të lëshojnë vend, fjala e Erolld Belegut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat