Sigal Prishtina tepër e fortë për Bashkimin

Basketboll

Sigal Prishtina tepër e fortë për Bashkimin

Më: 4 tetor 2017 Në ora: 21:20
Sigal Prishtina

Sigal Prishtina e ka nisur me fitore mbrojtjen e titullit të kampionit në Superligën e basketbollit të Kosovës.

Prishtinasit kanë triumfuar para shikuesve të vetë në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve kundër Bashkimit me rezultat të thellë prej 89:54.

Vendasit për asnjë moment nuk e vënë në dyshim fitoren e tyre, ku ra në sy një lojë e organizuar mirë në fazën e sulmit dhe një mbrojtje e fortë.

Çereku i parë pothuajse tregoi forcën e vërtetë të kampionit, ku e përfunduan me epërsi prej 23 pikëve, përkatësisht 32:9.

Megjithëse dhjetë minutshi i dytë u takoi mysafirëve, Bashkimi ishte në disavantazh të 22 pikëve, 51:29.

Edhe në pjesën e dytë vendasit ishin më të mirë se mysafirët duke e ngritur epërsinë në saje të një loje të bukur në të gjitha fazat e ndeshjes.

Në çerekun e tretë, Sigali ishte më i mirë se kundërshtari duke treguar se fitorja do të mbetet në Prishtinë, ku këtë dhjetë minutësh e fituan me rezultat 19:14.

Periudha e fundit e takimit duket se ishte për statistika pasi që në fund të ndeshjes shifrat në semafor tregonin rezultatin në dobi të Prishtinës, 89:54.

Vlen të theksohet se basketbollisti më efikas te kampioni aktual ishte Lawrence me 32 pikë ndërsa te mysafirët u dallua me 12 sosh, Samadan.

Pas kësaj fitoreje, Prishtina është lidere e ligës elitare të basketbollit tonë me dy pikë, po aq sa ka edhe Golden Eagle Ylli, që sot e mposhti Kerasan Prishtinën me rezultat 99-96.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat