Në drithërima të edicionit të ri të ligës më të fortë në botë

Basketboll

Në drithërima të edicionit të ri të ligës më të fortë në botë

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 11:22
Pamje nga një ndeshje

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare, sezoni 2017-2018 i Nba ngre siparin me dy superpërballje. Hapet gjithçka me duelin mes dy skuadrave më të forta në Konferencën e Lindjes. Në “Quicken Loans Arena” të Ohios, Cleveland Cavaliers pret Boston Celtics. Kyrie Irving do të rikthehet aty ku u bë i famshëm për të sfiduar për herë të parë si kundërshtar ish skuadrën e tij. Te Cleveland është një tjetër yll që deri përpara disa muajsh mbronte me fanatizëm ngjyrat e Boston Celtics dhe ai është Isaiah Thomas që tashmë do të formojë një treshe ëndrrash me Lebron James dhe Kevin Love.

2 orë e 30 minuta më pas në 04.30 do të jetë rradha e kampionëve në fuqi dhe favoritëve të mëdhenj për të fituar për herë të 3-të titullin e Nba në 4 sezonet e fundit. Në Oakland në “Oracle Arena”,  Golden State Warriors luan ndaj Houston Rockets, një prej skuadrave që pritet tia vështirosojnë punën skuadrës së Steve Kerr në Konferencën e Perëndimit. Jo vetëm në këtë sfidë por edhe në vazhdimësinë e sezonit Houston shikohet si ekip që mund të bëjë gjëra të mëdha duke u bazuar te loja e yjeve si James Harden, Chris Paul dhe Eric Gordon.

Megjithatë edhe në këtë sezon Warriors janë favoritët absolut për të fituar sërish titullin. Të kesh në skuadër lojtarë si Kevin Durant, Stephen Curry, Klay Thompson e Draymond Green, gjithcka bëhet shumë e vështirë për rivalët. Një vëmendje e veçantë në këtë edicion i duhet kushtuar edhe Oklahoma City Thunder. Afrimet e Paul George dhe Carmelo Anthony-it e kanë bërë një skuadër më të fortë Oklahomën që ka në gjirin e saj edhe një nga basketbollistët më të mirë për momentin dhe ai është padiskutim Rusell Westbrook. Nuk duhet harruar San Antonio Spurs që ka me vete eksperiencën, por për titullin do të luftojnë edhe Cleveland e Boston Celtics. Për Los Angeles Lakers skuadrën e dytë më të titulluar e cila ka shumë tifozë edhe në Shqipëri, parashikohet një tjetër sezon i vështirë me shumë ulje-ngritje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat