Dushku ka përfaqësuar Kosovën në mesin e 15 shteteve

Basketboll

Dushku ka përfaqësuar Kosovën në mesin e 15 shteteve

Më: 6 nëntor 2017 Në ora: 16:24
Dushku ka përfaqësuar Kosovën në mesin e 15 shteteve

Ushtruesja e detyrës së sekretares së përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku prej 24 shtator deri më 31 tetor ka qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në kuadër të programit “Global Sports Mentoring Program”.

Dushku e ka përfaqësuar FBK-në dhe Kosovën në tërësi në këtë program, në mesin e 15 shteteve nga anekënd bota: Brazili, Palestina, Nigeria, Kosova, Franca, India, Peru, Tajvani, Belgjika, Venezuela, Uganda, Bolivia, Kina, Koreja e Jugut dhe Maroko.

Në javën e parë të programit të gjitha pjesëmarrëset kanë qëndruar së bashku në Uashington, derisa në javën e dytë që të gjitha kanë marr pjesë në Espnwomen Summit në Santa Ana të Los Anxhelosit, derisa tri javët e fundit, secila prej pjesëmarrëseve kanë udhëtuar tek Mentoret e tyre, derisa u.d. Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku ka qenë e caktuar në San Antonio, ku ajo ka qëndruar tek skuadra e pesëfishtë kampione e NBA, San Antonio Spurs. Dushkut i është caktuar për Mentore, Laura Dixon, Drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë tek Spurs&Sport&Entertainment.

Duhet theksuar se Dushku është bërë pjesë e këtij programi pas intervistës së kryer me sukses tek Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, e cila më pas e ka propozuar atë tek udhëheqëset e programit në fjalë (GSMP), ku po ashtu është dashur të kaloj nëpër disa intervista dhe më pas është zgjedhur që të jetë pjesë e këtij programi që për qëllim ka fuqizimin e femrës nëpërmjet sportit.

Ky është viti i gjashtë i “Global Sports Mentoring Program”, ndërsa Departamenti i Shtetit në Uashington e cilëson si një nga programet më me vlerë që ka investuar në disa vitet e fundit.

Elvira Dushku, u.d. Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, tha: “Gjatë gjashtë javëve sa kam qëndruar në SHBA kam pasur rastin të takoj njerëz të shumtë dhe me peshë në botën e sportit, si dhe njerëz që me përvojën dhe me frymëzimin e tyre më kanë bërë që të ndihem edhe më e fuqishme pasi që kthehem në vendin tim të punës. Fakti se kam shkuar si ish-basketbolliste dhe si u.d. Sekretare e Përgjithshme e një Federate kaq të fortë si ajo që jemi ne, ka qenë një arsye shumë e madhe, që unë të jem shumë aktive në të gjitha fazat e këtij programi.

Po ashtu unë e kam pasur fatin e madh që e kam pasur një Mentore si Laura Dixon, e cila për tri javë radhazi më ka mësuar shumë gjëra, të cilat sigurisht se do të më hyjnë shumë në punë në karrierën time. Në të njëjtën kohë të jesh pjesë e një familje të madhe siç është skuadra e famshme San Antonio Spurs do të thotë shumë dhe kjo është për t’u vlerësuar lartë.

Në fund të programit, secila nga pjesëmarrëset është dashur të prezantojmë një Plan të Veprimit para udhëheqëseve të projektit, Departamentit të Shtetit, Mentoreve, sponsorëve etj.

Plan im i Veprimit ka të bëjë me atë që nëpërmjet Federatës dhe në bashkëpunim me komunat, shkollat fillore dhe prindërit e vendeve të vogla (p.sh. fshatrat) t’u jepet vajzave mundësia për të praktikuar basketbollin. Unë jam shumë e përkushtuar që të vazhdoj të punoj edhe më fortë dhe me vullnet edhe më të madh për të fuqizuar femrën nëpërmjet sportit, e në këtë rast basketbollit.

Unë jam shumë falënderuese ndaj Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë dhe FBK-së që më kanë dhënë këtë mundësi për të qenë pjesë e një programi që është një përvojë e madhe jetësore. Premtoj se këtë përvojë të fituar në këtë program madhështor do ta barti tek koleget dhe kolegët e mi të basketbollit”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat