Spektakël

Basketboll

Spektakël

Më: 9 nëntor 2017 Në ora: 11:01
Pamje nga një ndeshje

33 tituj kampion zbritën në “TD Garden”, por në fund festoi skuadra më e titulluar e NBA. Boston Celtics kaloi edhe Los Angeles Lakers duke u konfirmuar si ekipi i momentit në basketbollin amerikan. 107:96 ishte rezultati i sfidës në favor të Bostonit që regjistroi suksesin e 10-të radhazi dhe njëkohësisht të 10-tin sezonal. Los Angeles Lakers edhe pse i ka bërë një start disi më të mirë se gjatë të viteve të fundit këtij sezoni, është ende larg pritshmërive të tifozëve të cilët aktualisht mund të krenohen vetëm me faktin që mbështesin skuadrën e dytë më të titulluar në Nba pas Bostonit. Në duelin ndaj Lakers, 5 lojtarë të Celtics arritën një kuotë pikësh me dy shifra ku mbi të gjithë spikatën australiani Baynes autori i 21 pikëve por edhe Kyrie Irving i cili e mbylli sfidën me 19 pikë 5 asist e 6 rebound. Pas këtij suksesi Boston vazhdon të kryesojë Konferencën e Lindjes ndërkohë që Lakers pësuan humbjen e 6-t në 11 takime. Shkëlqen edhe Golden State Warriors që tashmë komandon e vetme Konferencën e Perëndimit.

Në “Oracle Arena”, nuk u ndje aspak mungesa e një prej yjeve të ekipit Kevin Durant, pasi kampionët në fuqi të NBA për meritë të dyshes Thompson-Curry dërrmuan Minesotta Timberwolves me rezultatin 125:101. Kjo ishte fitorja e 5-t radhazi për Warriors dhe e 9-ta sezonale. Klay Thompson ishte heroi i padiskutueshëm i vendasve pasi përveç se realizoi 28 pikë në total dhuroi spektakël për të pranishmit në impiant me plot 6 goditje të sakta nga vija për tre. Për t’u përmendur edhe paraqitja e Stephen Curry-it, i cili koleksionoi në total 22 pikë 8 asiste dhe 8 rebound. Një nga surprizat e këtij fillim sezoni në NBA është Detroit Pistons që pozicionohet e dyta në Lindje. Skuadra nga Michigani mori një tjetër fitore të 3-tën rresht pasi kaloi lehtësisht në shtëpi Indiana Pacers me shifrat e thella 114:97, duke thelluar krizën e ekipit nga Indianapolis.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat