Berisha: Nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë me Lituaninë

Basketboll

Berisha: Nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë me Lituaninë

Më: 20 nëntor 2017 Në ora: 19:42
Dardan Berisha

Kombëtarja A e Kosovës sot e ka mbajtur stërvitjen e parë në kuadër të përgatitjeve katër ditore për Dritaren e Parë të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”. Ndeshjen e parë, Kosova do ta luaj si nikoqire, kundër Lituanisë. Krahas këtyre dy kombëtareve, në Grupin C bëjnë pjesë edhe Hungaria dhe Polonia.

Përfaqësuesja jonë prej 20 deri më 23 nëntor do të zhvilloj nga dy seanca stërvitore në ditë, derisa në ditën e ndeshjes, Kosova do ta mbaj një stërvitje në orët e paradites.

Në stërvitjen e parë kanë munguar Erjon Kastrati, i cili do t’i bashkohet ekipit të martën, për shkak se sot ka ndeshje me skuadrën e tij sllovene, derisa Scott Bamforth dhe Ergin Grosha do të jenë pjesë e grumbullimit në stërvitjen e pasdites.

Përzgjedhësi i Kosovës, Brad Greenberg është shprehur i lumtur që Përfaqësuesja jonë do të jetë pjesë e kësaj gare prestigjioze të FIBA-s, por në të njëjtën kohë ka theksuar se tani i pret një punë dukshëm edhe më e madhe se ajo gjatë verës, kur Kosova luajti në parakualifikime dhe arriti të zë vend në mesin e 32 kombëtareve që do të jenë pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”. Brad Greenberg, tha: “Jam i emocionuar të shoh basketbollistët që kanë arritur të jenë pjesë e kualifikimeve. Do të përgatitemi sa më mirë për këto dy ndeshje, ndonëse nuk do të jetë lehtë. Të gjithë e dimë që Lituania është kundërshtar i vështirë, por ne do të kërkojmë rastin tonë. Nuk do të paraqitemi në fushë vetëm sa për të luajtur, kjo gjë është më se e sigurt, por do të luftojmë për të fituar.

Shpresoj që palestra të jetë e stërmbushur për këtë ndeshje, sepse kemi nevojë për përkrahjen e tifozëve tanë të flaktë, por edhe sepse për lojtarët tanë kjo është shumë e rëndësishme, pra përkrahja e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Duam të bëjmë të pamundurën dhe do të japim maksimumin nga vetja, si në duel me Lituaninë ashtu edhe me Hungarinë në Debrecen”. Ndërkohë kapiteni i Kosovës, Dardan Berisha ka deklaruar se është i vetëdijshëm për forcën e kundërshtarëve të grupit, por ai ka shtuar se nuk do të dorëzohen, dhe se do të luftojnë nga minuta e parë e deri te ajo e fundit: “Realisht, nuk jemi favorit, Lituania ka traditë në basketboll dhe të gjithë e dimë këtë.

Është skuadra më e fortë në grup, pavarësisht mungesave në përbërje të lojtarëve. Ne do të mundohemi të japim më të mirën nga ana jonë për t’i befasuar dhe për të bërë diçka të madhe për vendin tonë. Nuk do të jetë ndeshje aspak e lehtë, megjithatë ne do të luftojmë, jo vetëm në këtë ndeshje, por në të gjithat. Edhe Hungaria ka skuadër të fortë, por fakti që nuk jemi favorit të grupit na shtyn që në çdo ndeshje të hyjmë dhe të luajmë fortë. Te Hungaria e shohim rastin, por termini i papërshtatshëm na pengon, pasi që luajmë brenda një kohe të shkurtër dy ndeshje.

Sidoqoftë ne  do të japim maksimumin dhe si vendas na duhet përkrahja e tifozëve që janë arma jonë më e fortë, kjo edhe u dëshmua gjatë verës kur ne me ndihmën e tyre të pashoq arritëm të kualifikohemi në mesin e 32 ekipeve që vazhdojnë tutje në kualifikimet për Kupën e Botës”. Duhet theksuar se kombëtarja e Lituanisë do të arrij në Prishtinë më 23 nëntor, ndërsa do ta zhvilloj vetëm një seancë stërvitore dhe atë në ditën e ndeshjes në orët e paradites.

Ballafaqimi ndërmjet Kosovës dhe Lituanisë do të zhvillohet më 24 nëntor me fillim nga ora 19:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe i takon Grupit C të kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”.

Një ditë pas kësaj ndeshje, Kosova do të udhëtoj për në Debrecen për t’u përballur me Hungarinë në ndeshjen e dytë kualifikuese. Ky takim do të luhet më 26 nëntor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat