Minnesota ëndërron me dyshen Towns-Butler, Chicago e Memphis në krizë të thellë

Basketboll

Minnesota ëndërron me dyshen Towns-Butler, Chicago e Memphis në krizë të thellë

Më: 27 nëntor 2017 Në ora: 10:28
NBA

Ishin vetëm tre sfidat në mbrëmjen e NBA, ku spikat suksesi i Minnesota Timberwolves. Skuadra nga Minneapolis u konfirmua si surpriza më e bukur e këtij sezoni në Konferencën e Perëndimit, pasi mposhti në Target Center me lehtësi Phoenix Suns 119-108, duke u rikthyer te fitorja dhe duke u ngjitur në vendin e 4-t në Perëndim. Meritë e gjitha e Karl-Anthony Towns, yllit të Timberwolves që po tregon se e ka merituar të ishte zgjedhja e draftit në Vitin 2015. Towns realizoi 32 pikë ndërsa e ndihmoi Minessotan edhe me 12 rebound e 2 asiste, ndërsa një paraqitje për t’u vlerësuar te Timberwolves bëri edhe Jimmy Butler autori i 25 pikëve. Kjo ishte fitorja e 12-t në këtë sezon për skuadrën nga Minneapolis, ndërkohë që Phoenix Suns vijon rënien e lirë me skuadrën nga Arizona që pësoi disfatën e 14-t në 21 takime gjithsej.

Nuk ka fund kriza e Chicago Bulls. Për ta thelluar edhe më shumë atë mendoi Miami Heat që triumfoi brenda në Ilinois me shifrat 100-93 duke regjistruar fitoren e 3-t radhazi dhe duke i shkaktuar Chicagos humbjen e 5-t rresht dhe të 10-ën në 11 ndeshjet e fundit në NBA. Mungesa e spanjollit Nikola Mirotic për shkak dëmtimi dhe largimi i Jimmy Butler te Minnesota gjatë verës po e penalizojnë shumë Chicagon me Bulls-at që janë të destinuar të zhvillojnë një sezon shumë të dobët. Te Miami edhe në këtë ndeshje shkëlqeu ylli i ekipit, slloveni Goran Dragic i cili realizoi 24 pikë.

Por në një rrugë pa kthim në këtë sezon nuk është vetëm Chicago Bulls por edhe Memphis Grizzlies që gjithashtu pësoi humbjen e 5-t radhazi. Për t’i shkaktuar Memphis-it disfatën e 9-t në 10 ndeshjet e fundit mendoi Brooklyn Nets me skuadrën nju-jorkeze që fitoi brenda në Tenessee me rezultatin 98-88 falë edhe DeMarre Carroll i cili ishte më i miri mbi parket për miqtë me 24 pikë 6 rebound dhe 2 asiste.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat