NBA, LeBron nderon Clevelandin, rikthim me humbje për Leonard te Spurs

Basketboll

NBA, LeBron nderon Clevelandin, rikthim me humbje për Leonard te Spurs

Më: 13 dhjetor 2017 Në ora: 10:45
LeBron James

Vijon momenti i mirë për Cleveland Cavaliers në NBA. Falë një LeBron James në formë të shkëlqyer skuadra nga Ohio koleksionoi fitoren e 15-të në 16 ndeshjet e fundit pasi mposhti në Quicken Loans Arena, Atlanta Hawks me rezultatin 123-114 duke thelluar krizën e skuadrës nga Georgia që në këtë sezon ka pak shanse të kualifikohet në play-off. 25 pikë, plot 17 asiste dhe 7 rebound ishin këto statistikat e mbretit James në këtë ndeshje me LeBronin që udhëhoqi Cleveland-in drejt suksesit të 20-të sezonal. Boston Celtics që ka 3 fitore më shumë tashmë ka filluar ta ndiejë presionin e Cavaliers nga pas për vendin e parë në Konferencën e Lindjes.

Atlantës për të evituar disaftën numër 21 nuk i mjaftuan 24 pikët e talentit Taurean Prince dhe 20 të tjera të realizuara nga Kent Bazemore me Hawks që pozicionohen të fundit në Lindje.  Rikthimi në fushë i Kawhi Leonard i cili mungonte që nga finalja e parë e Konferencës së Perëndimit ndaj Golden State sezonin e kaluar, nuk ishte shumë i ëmbël pasi San Antonio Spurs u mposht në derbin teksan nga Dallas Mavericks 95-89. Vetëm 13 pikë realizoi ylli i Spurs në 15 minuta lojë me Dallasin që shfrytëzoi çdo hapësirë që i la San Antonio për të regjistruar fitoren e 8-të sezonale.

Pas 2 fitoreve radhazi Los Angeles Lakers rikthehet me këmbë në tokë pasi u dorëzua përballë New York Knicks pas kohës shtesë me rezultatin 113-109. Një meritë të padiskutueshme në këtë fitore të skuadrës nga “Molla e Madhe” e kishte talenti letonez Kristaps Porzingis autori i 37 pikëve dhe 11 rebound-eve. Një ndeshje spektakolare ishte edhe ajo që u luajt në Minneapolis aty ku Philadelfia 76ers bëri surprizën duke mposhtur vendasit e Minnesota Timberwolves pas kohës shtesë me shifrat 118-112, madje Timberwolves-ave nuk u mjaftuan 38 pikët e realizuara nga Jimmy Butler.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat