Rënia e cilësisë dhe e shikueshmërisë në basketboll, trishtuese!

Basketboll

Rënia e cilësisë dhe e shikueshmërisë në basketboll, trishtuese!

Nga: Kemajl Goca Më: 16 janar 2018 Në ora: 16:19
Ilustrim

Debate

Pa dyshim se stinori vjeshtor në Superligën e Kosovës në basketboll, ka qenë më i dobëti pothuajse i pasluftës dhe po ashtu me një cilësi të zbehtë, me përjashtim të Sigal Prishtinës e cila ka dominuar me lehtësi dhe që ka në radhët e saja yjet e basketbollit. Basketbolli është në krizë të thellë si për nga cilësia po ashtu edhe nga shikueshmëria. Pothuajse në shumicën e ndeshjeve palestrat janë të boshatisura nga shikuesit.

As fillimi i pjesës së dytë të kampionatit nuk paralajmëron asgjë të re, e njëjta këngë edhe në pranverë. Rivaliteti do të jetë mes skuadrave që synojnë katërshen e parë, assesi dikush që mund t‘i bëj ballë Prishtinës.  Bashkimi deri diku hiqet si skuadra që nuk mund t’ia prekë askush pozitën e dytë, ndërsa Prishtina është e paprekshme në krye të renditjes dhe është favorite në të dyja frontet.

Trepça nga Mitrovica nuk është ajo e dikurshmja sikurse edhe Peja. Dikur Trepça dhe Peja ishin skuadra me renome, por shkaku i krizës kanë rënë në pozitë të palakmueshme, ndërsa Golden Eagle Ylli nga Theranda, skuadër e cila betohet se nuk do ta lëshoi vendin e tretë, por e cila kërcënohet vazhdimisht nga Rahoveci, që ka një ekip simpatike dhe sfiduese për të mëdhenjtë. Rahoveci pa dyshim se vlerësohet nga befasitë më të mëdha të këtij edicioni.  Trepça dhe Peja synojnë të zënë hapin për vend të katërt dhe si njëra palë po ashtu edhe tjetra mezi presin të gabojnë Golden Eagle Ylli dhe Rahoveci, kësisoj t’i afrohen me pikë. Përderisa rivaliteti mund të vazhdojë për vend të katërt, shikueshmëria është në pikën më të ultë dhe trishtuese. E para, basketbolli është kthyer në një nivel me shikueshmëri e me cilësi si hendbolli dhe volejbolli.

Kjo është dëshmia më e mirë se sportet me dorë e humbin simpatinë, për shkak të mungesës së cilësisë. Përderisa hendbolli e volejbolli ka rënie që një kohë, basketbolli në edicionin vjeshtor ka pasur rënie drastike, po ashtu edhe në pranverë zor që mund të ketë ndonjë përparim, duke parë gjendjen nëpër shumicën e klubeve.

Çfarë po ndodhë me sportet me dorë? Këtu shihet se nuk ka plan-program nga klubet, të cilat milionat investime i çuan huq dhe e prunë në këtë gjendje të mjerueshme sportin sidomos basketbollin. Sigal Prishtina luan me të tjerët si macja me miun, kurse të mëdhenjtë si Peja e Trepça duket se janë lodhur investo e mos fito asgjë dhe kanë rënë në këtë gjendje. Por kjo këngë do ta presë sigurisht edhe Prishtinën nëse vazhdon ky avaz, investo e mos përfito asgjë. Atëherë, çfarë të mire ka për ata që investojnë dhe nuk fitojnë asgjë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat