Elvira Dushku, emërohet sekretare e përgjithshme e FBK-së - Bota Sot
Elvira Dushku, emërohet sekretare e përgjithshme e FBK-së

Basketboll

E enjte, 16 gusht 2018

Elvira Dushku, emërohet sekretare e përgjithshme e FBK-së

Më: 24 janar 2018 Në ora: 12:02
Elvira Dushku

Ushtruesja e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), Elvira Dushku që nga data 22.01.2018 do ta kryej detyrën e Sekretares së Përgjithshme.

Ishte Bordi i FBK-së ai i cili votoi për të avancuar Dushkun nga pozita e ushtrueses së detyrës në atë të Sekretare e Përgjithshme pas performancës së saj të shkëlqyeshme të dëshmuar prej 01.02.2017, kur edhe e kishte filluar punën e u.d. Sekretare e Përgjithshme.

Dushku ka pasur karrierë të shkëlqyeshme në basketboll, të cilën e ka filluar në vitin 1996 si 14 vjeçare në ekipin e Prishtinës-Femrat, derisa që nga paslufta ajo ka qenë kampione e shumëfishtë me KB Universitetin e Prishtinës, si dhe fituese e Kupës së Kosovës, duke dominuar kështu në basketbollin femëror kosovar së bashku me këtë skuadër për 8 vite radhazi. Për disa vite radhazi nga paslufta Dushku ishte shpallur si basketbollistja më e mirë në vend.

Dushku me KB Universitetin ka garuar në Ligën Rajonale “Trocal” në edicionin 2003/04 duke u bërë kështu skuadra e parë në basketbollin kosovar që e thyen izolimin. Atëbotë KB Universiteti e pati përmbyllur edicionin në këtë garë duke zënë vend në play-off.

Dushku pas përfundimit të karrierës aktive,  nuk ka rresht së qëndruari afër ekipit ku është rritur, KB Prishtina, ku edhe ka punuar në baza vullnetare si trajnere dhe koordinatore. Krahas punës vullnetare në klub, Dushku prej vitit 2011 deri në 2016 ka qenë kryetare e Bordit të OESK-ut (Organizata për Edukimin Sportiv në Kosovë), e cila ishte themeluar falë bashkëpunimit shumëvjeçar të Organizatës Suedeze për Edukim Sportiv (SISU) dhe Federatave Sportive që veprojnë në Kosovë. 

Dushku në FBK është punësuar në vitin 2015 si zyrtare për marrëdhënie me publikun, derisa që nga 1 shkurti i vitit 2017 është avancuar në pozitën e u.d. Sekretare e Përgjithshme.

Dushku që nga viti 2017 është pjesë e programit të FIBA Evropës “Time Out”, projekt ky unik, që ka në shënjestër lojtarët dhe lojtaret që janë pensionuar së fundi nga basketbolli dhe të cilët dëshirojnë të vazhdojnë karrierën e tyre në sport jashtë fushës. Gjithsej janë 80 pjesëmarrës nga e gjithë Evropa, prej tyre 40 femra dhe 40 meshkuj, që kanë qenë apo edhe janë aktiv në basketboll.

Me bashkë-financim nga programi Erasmus + i Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me Universitetin Northumbria në Newcastle, Britani të Madhe, pjesëmarrësit e këtij programi e kanë filluar punën në drejtim të fitimit të diplomës në administratë, lidership dhe menaxhment.

Duhet theksuar se Dushku kështu është bërë Sekretarja e parë e Përgjithshme femër në të gjitha federatat sportive që funksionojnë në Kosovë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test