Gashi: Me Yllin synojmë trofetë! - Bota Sot
Gashi: Me Yllin synojmë trofetë!

Basketboll

E diel, 15 korrik 2018

Gashi: Me Yllin synojmë trofetë!

Më: 2 shkurt 2018 Në ora: 10:52
Artin Gashi në aksion

Ekipi i Golden Eagle Yllit nga Theranda pretendon Kupën e Kosovës në basketboll. Therandasit po dëshmohen arrë e fortë për ekipet elite dhe më së miri e fakton edhe pozita e tretë në klasifikim me 27 pikë të mbledhura apo me 10 fitore e 7 humbje pas 17 javëve të zhvilluara. Ylli ka 7 pikë me pak se lideri Sigal Prishtina dhe dy se Bashkimi nga Prizreni, ndërsa dy me shumë se Trepça që mban pozitën e katërt.  Basketbollisti Artin Gashi, prej më të mirëve në petkun e therandasve, shprehet ambicioz për ekipin e tij. Ai tha se, i kanë tejkaluar pritshmëritë, por tani kërkojnë edhe trofe. “I kemi tejkaluar pritshmëritë, njëkohësisht janë shtuar ambiciet”, tha për gazetën kombëtare “Bota sot”, Gashi. A mendonin se pozita e tretë do të jetë e paprekshme deri në fund të garave të rregullta apo e ndjeni presionin e rivalëve? “Pozita e tretë është e paprekshme, por do të luftojmë për vendin e dytë me kapacitetin tonë, në mënyrë që ta kemi përparësinë e terrenit në play-off”, theksoi ai. Gashi thotë se nuk ndjejnë presionin as nga Trepça e as nga Rahoveci, sipas tij, janë edhe më të fortë me ardhjen e Leonard Mekajt nga Peja. “Të them të drejtën, nuk ndjejmë presion, pasi tani e kemi kompletuar ekipin me rikthimin e Mekajt dhe një amerikani tjetër, nuk do të lejojmë befasi”, shpreh optimizmin krahqendra. Cilat janë synimet e Yllit? “Synimi yni është fillimisht ta fitojmë Kupën, pasi edhe jemi organizator të finales, pastaj  do të luftojmë për titull”, përgjigjet Gashi. Golden Eagle Yllit i është besuar organizimi i Kupës së Kosovës dhe kjo e bën në një formë edhe si konkurrent të denjë në luftë për këtë trofe. “Fusha është përparësi, pasi do ta kemi mbështetjen e tifozëve tanë dhe besoj që salla do të mbushet më shumë se zakonisht”, shprehet ai.  Basketbollisti ka një porosi edhe për tifozët e zjarrtë “Xhebrailat”: “Do t’i gëzojmë ‘Xhebrailat’ me një trofe dhe do ia shpërblejmë mundin”. Sa jeni i kënaqur me kushte dhe me cilësinë në përgjithësi të Ligës? “Sivjet liga ka rënie, por shoh një gjë pozitive, pasi lojtarët vendorë po dominojnë. Shkak për këtë rënie janë kryesitë të papërgjegjshme të klubeve të cilat shpenzojnë shuma marramendëse në lojtarët e huaj dhe i anashkalojnë lojtarët vendorë”, thotë Gashi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test