Zhgënjejnë Miami e Chicago

Basketboll

Zhgënjejnë Miami e Chicago

Më: 6 shkurt 2018 Në ora: 11:08
Pamje nga ndeshja Chicago-Sacramento

Detroit Pistons shkëlqen me Blake Griffin. Skuadra nga Michigani nuk di më të ndalet teksa regjistroi fitoren e 4-t radhazi falë edhe yllit të saj të ri ish basketbollistit të Clippers, Blake Griffin i cili koleksionoi në total 21 pikë, 6 asiste dhe 9 rebound në suksesin me shifrat 111-91 të Detroit ndaj Portland Trail Blazzers. Pistons me këtë fitore iu afruan ndjeshëm zonës play-off ndërsa zhytën zyrtarisht në krizë skuadrën nga Oregoni, me Portland që pësoi humbjen e 3-të rresht. Një dorë në këtë fitore Detroit-it ia dha edhe Andre Drummond autori i 17 pikëve, 17 rikuperimeve poshtë tabelës dhe 17 asisteve. Në krahun tjetër 20 pikët e Damian Lillard ishin të pamjaftueshme për Trail Blazzers. Në sfidën që veterani Dirk Noëitzki vendosi një tjetër rekord duke kapur shifrën e 50 mijë minutave mbi parket në NBA, Dallas Mavericks pësoi një tjetër humbje.

Skuadra teksane u mposht me rezultatin e ngushtë 104-101 nga Los Angeles Clippers në Staples Center duke konfirmuar edhe njëherë tjetër se ky sezon duhet harruar sa më shpejt nga Mavericks të cilët pozicionohen në vendin e fundit të Konferencës së Perëndimit. Më i miri mbi parket për Clippers rezultoi italiani Danilo Gallinari i cili realizoi 28 pikë.

Përmbysje fantastike ajo e Sacramento Kings që në fund të periodës së parë po humbiste me 19 pikë diferencë ndaj Chicago Bulls por në fund ishin kalifornianët ata që triumfuan me rezultatin 104-98. Një humbjes zhgënjyese pësoi Miami Heat që tashmë zyrtarisht në krizë. Orlando Magic triumfoi në derbin e Floridas me rezultatin e ngushtë 111-109 për meritë edhe të kroatit Hezonja i cili realizoi 20 pikë duke i shkaktuar skuadrës së trajnerit Eric Spoelstra disfatën e 4-t rresht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat