Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës shënohet me turne basketbolli në konkurrencën e femrave

Basketboll

Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës shënohet me turne basketbolli në konkurrencën e femrave

Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 12:31
Dhjetë vjetori i pavarësisë së Kosovës shënohet me turne basketbolli në konkurrencën e femrave

Klubi i basketbollit PRO Bet Prishtina (femrat) më 13 dhe 14 shkurt 2018 do të organizoj turne ndërkombëtar për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Turneu do të mbahet në kuadër të aktiviteteve që organizohen nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës për nder të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ndërsa kjo ngjarje është mbështetur nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS), kurse është organizuar në bashkëpunim me Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Përveç skuadrës sonë, pjesëmarrëse do të jenë edhe: Tirana, Rilski nga Bullgaria dhe Nikshiqi nga Mali i Zi, ndërsa turneu do të zhvillohet të martën dhe të mërkurën.

Ndërkaq në ambientet e Shtëpisë së Sportit në Prishtinë, KB PRO Bet Prishtina ka organizuar konferencë për media në prag të turneut, duke shpalosur kështu në cilësinë e organizatorit të gjitha detajet rreth organizimit të këtij aktiviteti në dy ditët e ardhshme.

E pranishme në këtë konferencë ishte edhe Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e FBK-së, e cila e ritheksoi mbështetjen e parezervë të Federatës për basketbollin femëror dhe e vlerësoi lartë iniciativën e KB PRO Bet Prishtina për organizimin e turneut.

Krahas Dushkut në konferencë ishte e pranishme, edhe Afërdita Fazlija, zëvendësdrejtoreshë e Departamentit të Sporteve të Kosovës, Vlora Braha, përgjegjëse e KB PRO Bet Prishtina, Fidan Shatri- kryetrajner, Ermelinda Shatri-kapitene dhe Ismet Ferati, koordinator i turneut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat