Flamurtari mund Goga Basket

Basketboll

Flamurtari mund Goga Basket

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 13:21
Pamje nga ndeshja

Flamurtari nga Vlora në basketboll për femra ka fituar 58:53 ndaj Goga Basket në ndeshjen kryesore të javës së 12-të të Kampionatit Kombëtar, të vlefshme për Grupin A1, sukses që ka rikthyer kampionet vlonjate në krye të renditjes. Ndeshja e luajtur në Durrës ka qenë gjatë gjithë kohës e ekuilibruar, të dyja skuadrat kanë dueluar fort për ta fituar atë, por në fund kanë triumfuar basketbollistet mike, që korrën suksesin e 10-të sezonal. Një humbje që zbret ekipin e Gogës në vendin e dytë në renditje, me pikë të barabarta me Tiranën

Durrsaket e nisën më mirë takimin, udhëhoqën 19-13 në përfundim të periodës së parë, ndërkohë që vlonjatet rritin presion  me kalimin e kohës dhe barazojnë shifrat në 27-27 në mbyllje të 20 minutave të para. Mikeshat marrin shpejt komandën e lojës në çerekun e tretë, ku udhëheqin 43-39, avantazh i ngushtë por që ruhet deri në fundin e takimit, falë edhe një skuadre më të kompletuar. Flamurtari fitoi 58-53, duke u bërë skuadra e parë këtë sezon që arrin kuotën e 10 fitoreve, sukses i rëndësishëm që arrihet në fushën e një ekipi rival për titull.

Basketoll Femra, Kategoria e Parë, Grupi A (java e 12-të)

23 shkurt, Studenti – Tirana, 49-85 (11-15, 11-20, 16-19, 11-31)

24 shkurt, Skënderbeu – Vllaznia, 41-58 (10-12, 11-15, 9-13, 11-18)

Sot, Goga Basket – Flamurtari, 53-58 (19-13, 8-14, 12-16, 14-15)

Renditja: Flamurtari 22 pikë (10/2), Tirana 21 pikë (9/3), Goga Basket 21 pikë (9/3), Studenti 16 pikë (4/8), Vllaznia 16 pikë (4/8), Skënderbeu 13 pikë (1/11).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat