Merovci: Po ta kishim palestrën, Rahoveci do të shkonte në finale

Basketboll

Merovci: Po ta kishim palestrën, Rahoveci do të shkonte në finale

Nga: Kemajl Goca Më: 18 prill 2018 Në ora: 19:01
Merovci

Rahoveci ka arritur suksesin më të madh në historinë e tyre, duke e siguruar vendin e tretë në pjesën e rregullt të Kampionatit të Kosovës në basketboll (meshkujt). Rahovecianët janë në vend të tretë me 27 pikë apo me 16 fitore e 11 humbje, tani e presin edhe ndeshjen e fundit të pjesë së rregullt të kampionatit, ku në kryeqytet ndeshen me kampionin në fuqi dhe liderin e tabelës, Sigal Prishtinën.  Basketbollisti i Rahovecit, Mustafë Merovci, është i kënaqur me ecurinë e skuadrës së tij. 

Merovci është i brengosur që nuk kanë palestër sportive sepse ndryshe do të ishte sikurse të luanin para shikuesve të tyre. Ai pretendon se do të tregojnë lojëra të mira edhe në pjesën e garave përfundimtare në luftë për titullin e kampionit. Megjithatë, Rahoveci do të ketë shumë vështirë, pasi që për rival do ta kenë skuadrën me renome Bashkimin nga Prizreni. Një fakt interesant është se, Trepça dhe Peja, pas një kohe të gjatë kanë mbetur jashtë katërshes së madhe.  

“Bota sot”: Rahoveci ka siguruar vendin e tretë, a iu garanton një vend më të favorshëm për garat e përfundimtares në luftë për titullin e kampionit?

Mustafë Merovci: Besoj që vendi i tretë është më i favorshëm për neve për arsye se në play-off do të luajmë kundër Bashkimit dhe jo kundër Prishtinës.

“Bota sot”: A është një senzacion vendi i tretë apo i pritur?

Mustafë Merovci: Besoj që nuk është senzacion sepse në fillim të sezonit në intervistën që kam japë për gazetën ‘Bota sot’, kam thënë që synimet e ekipit janë që të sigurojnë vendin e tretë ose të katërt, kështu që besoj që ia kemi arritur qëllimit.

“Bota sot”: Çfarë e ka veçuar Rahovecin nga ekipet tjera?

Mustafë Merovci: Besoj që loja kolektive dhe e disiplinuar që kemi arritur të bëjmë gjatë sezonit.

“Bota sot”: Në gjysmëfinale me Bashkimin, ku e sheh mundësinë më të mirë ndaj tyre?

Mustafë Merovci: Bashkimi është favorit absolut përball neve, mirëpo në sport nuk i dihet, ndodhin edhe befasitë.

“Bota sot”: A e penalizon Rahovecin mungesa e palestrës sportive?

Mustafë Merovci: Besoj që hendikepi më i madh i këtij ekipi dhe qytetarëve të Rahovecit është mungesa e palestrës, po të ishte palestra besoj që kishim arritur edhe të shkojmë në finale.

“Bota sot”: A mendoni se është kampionati më befasues, pasi që Peja dhe Trepça mbeten jashtë garave të play-off-it?

Mustafë Merovci: Besoj që po, duke e ditur traditën dhe historinë e këtyre dy klubeve, është për të ardhur keq, se si kanë përfunduar sezonin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat