Cila është gjendja e basketbollistëve Rugova e Morina?

Basketboll

Cila është gjendja e basketbollistëve Rugova e Morina?

Më: 24 qershor 2018 Në ora: 16:00
Ilustrim

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) njofton opinionin se basketbollistët Granit e Fisnik Rugova, dhe Altin Morina, si dhe fizioterapeuti Kujtim Shala janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Granit Rugova të shtunën është larguar nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës në shërim shtëpiak, derisa Fisnik Rugova dhe Kujtim Shala ndodhen ende në QKUK nën kujdesen e mjekëve, por që janë jashtë çdo rreziku për jetë.

Fisnik Rugova ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale, ndërsa Kujtim Shala në Klinikën e Neurokirurgjisë, kurse Altin Morina sot është liruar nga Spitali i Gjakovës dhe tani ndodhet në Prizren në shërim shtëpiak.

Federata e Basketbollit të Kosovës shfrytëzon rastin të falenderoj të gjithë opinionin për qëndrimin pranë në këto momente të vështira për ne pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës në Gjakovë, ku basketbollisti Gazmend Sinani e ka humbur jetën në një aksident rrugor, ndërsa vëllëzerit Rugova, Morina e Shala kanë pësuar lëndime trupore, por që janë jashtë rrezikut.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeçar. Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja.

Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone. Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA.

Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak.

Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat