Basketbollistët U16 nisen sonte për Bosnjë, për viza u angazhua ambasada e SHBA-së

Basketboll

Basketbollistët U16 nisen sonte për Bosnjë, për viza u angazhua ambasada e SHBA-së

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 21:33
Federata e Basketbollit të Kosovës

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) nëpërmjet një komunikate njofton opinionin e gjerë se Përfaqësuesja U16 e Kosovës (Meshkujt) sonte në ora 20:15 është pajisur me viza të Bosnje e Hercegovinës dhe se në ora 23:00 do të udhëtojë për në Sarajevë, atje ku edhe mbahet FIBA U16 Kampionati Evropian, Divizioni B.

“Pas katër ditë pritje para Ambasadës së Bosnje e Hercegovinës në Shkup dhe pas trysnisë së madhe nga FIBA, KON, FBK, KOK-u dhe së fundi edhe me angazhimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Sarajevë, Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës e ka dhënë lejen për pajisje me viza për Kosovën U16”, thuhet në njoftimin për media të FBK-së.

Në këtë njoftim thuhet se përfaqësuesja e Kosovës është dashur të jetë qysh të mërkurën në Sarajevë për ta zhvilluar stërvitjen e parë dhe më pas të enjten ta zhvillojë ndeshjen e parë pikërisht kundër Bosnje e Hercegovinës, por nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë për shkak se Ministria e Punëve të Jashtme prej të martës ka refuzuar të pajisë me viza Kosovën U16.

Kosova është pjesë e Grupit D së bashku me Republikën Çeke, Ukrainën, Bjellorusinë, Zvicrën dhe Bosnje e Hercegovinën.

Për programin e ndeshjeve të Përfaqësueses U16, FBK thotë se do ta njoftojë opinionin më vonë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat