Teuta nuk ndalet

Basketboll

Teuta nuk ndalet

Më: 27 shtator 2018 Në ora: 16:16
Endrit Hysenagolli

Skuadra e Teutës nuk di të ndalet në mer katon e transferimeve të basketbollistëve. Bregdetarët pas afrimeve të Juli Hamatit, Elvis Beqos, Robert Shestanit dhe amerikanëve Uilliams, Kopes dhe qendrës 208 cm Kejli Meier kanë bërë edhe dy goditje të tjera shumë të rëndësishme për sezonin e ri. “Djemtë e detit” kanë marrë dy lojtarë shumë të rëndësishëm dhe me një eksperiencë të madhe në kampionatin tonë kombëtar dhe për më tepër duke dobësuar një kundërshtar direkt në luftën për titull, siç është Tirana. Bëhet fjalë për Endrit Hysenagollin dhe Genti Laskun.

Të dy këta lojtarë ishin ndër protagonistët kryesorë në fitimin e titullit kampion në sezonin e shkuar nga kryeqytetasit. Një lëvizje e papritur kjo nga ana e klubit durrsak tashmë që po i afrohemi startit të edicionit të ri të basketbollit. Ka qenë vetë klubi i Teutës që nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare në “Facebook”, ka bërë të ditur afrimin e dy lojtarëve të ri. Këto dy blerje priten të jenë të fundit  për durrsakët, pasi është vetë klubi që e konfirmon këtë gjë dhe e konsideron skuadrën të kompletuar për të përballuar sezonin e ri, ku do të luftojë për fitimin e të gjitha trofeve kombëtarë.

Kujtojmë që në sezonin e shkuar skuadra bregdetare iu afrua shumë titullit kampion, por që nuk ia doli, pasi u thye në finalet e “Play-off”-it nga Tirana dhe këtë herë kërkon me çdo kusht të ngjitet në majën e basketbollit shqiptar. Teuta gjithashtu do të marrë pjesë për herë të parë në këtë sezon në Ligën Ballkanike dhe do të jetë skuadra e vetme shqiptare në këtë event, pasi kampionët e Tiranës u tërhoqën për shkaqe financiare.

Kompeticioni ballkanik ka përcaktuar edhe shortin për edicionin e 11-të të tij, ku do të marrin pjesë gjashtë skuadra dhe do të startojë më datë 16 tetor. Teuta do të këtë kundërshtare dy skuadrat bullgare Akademik Bulteks dhe BC Beroe, dy skuadrat kosovare, Bashkimin dhe Prishtinën, ndërkohë që do luajë edhe kundër maqedonasve të Kozuv.

Ndeshjet e këtij kompeticioni do të luhen me sistem vajtje-ardhje dhe Tuta do ta bëjë debutimin e saj në shtëpi në datën 16 tetor kundër bullgarëve të Akademi Bulteks. Vendi i parë dhe i dytë në grup do të luajnë ndërmjet tyre në finale. Skuadra që fiton dy nga tri ndeshjet finale do të shpallet fituese e Ligës Ballkanike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat