Krasniqi: Nuk me intereson që Abraham është një kampion i madh...

Boksi

Krasniqi: Nuk me intereson që Abraham është një kampion i madh...

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 21 shkurt 2017 Në ora: 17:43
Krasniqi e Abraham

Boksieri më i mirë shqiptar, Haxhi Krasniqi, është në vlugun e përgatitjeve, me imperativ që të jetë sa më i gatshëm për meçin e madh të 22 prillit të këtij viti që do të zhvillohet në Erfurt të Gjermanisë, kundër boksierit të mirënjohur Arthur Abraham. Ky meç do të jetë kualifikues për titullin WBO të botës në kategorinë super të mesme. Ylli nga Kosova beson se do të përgatitet maksimalisht deri me 22 prill dhe pretendon fitore ndaj armenit me nënshtetësi gjermane, Abraham. Krasniqi është luftarak i madh, ka goditje të hatashme dhe shquhet me teknikë të përsosur. Qëllimi i tij është që të jetë në pikën më të lartë të formës së tij para meçit të madh, që me padurim e presin kudo që janë shqiptarët. Krasniqi deklaroi për gazetën kombëtare “Bota sot” se e ka edhe një sfidë të madhe para vetes. “Unë e shikoj edhe këtë duel sikur te gjitha të tjerat, kam boksuar me shumë boksierë të fortë deri tani dhe aq më mirë që tani e kam edhe një sfidë të madhe. Nuk me intereson që ai është një kampion i madh i boksit dhe një emër i madh, thjesht dua ta mposht dhe të vazhdojë me synimet e mija, por kjo nuk do të thotë që unë nuk i respektoj vlerat e tij. Atë në ring e quajnë Mbret (King Arthur), por me të vërtetë nuk me shqetëson aspak sepse në ring secili hyn për të luftuar dhe unë personalisht nuk mendoj kurrë në humbje.

Fitimtar do të dalim ne”, thotë Krasniqi. Këshilltari i Haxhiut, Luan Dreshaj, tha se është vërtet një meç i madh dhe për histori. “Ndeshja e Haxhiut me një kundërshtar të tillë është histori për boksin shqiptar. Haxhiu tani duel pas dueli po e tejkalon rekordin e vet, ndërkohë që sukseset e Haxhiut janë sukseset më të mëdha që i ka arritur një boksier shqiptar ndonjëherë. Ky nuk është vetëm një supozim, po foli këtu në bazë të statistikave dhe cilësisë të dueleve të tij. Abraham është legjendë e boksit në dy pesha të ndryshme me gjithsej 50 duele, ndër to i ka 22 duele për tituj bote. A ka nevojë të flitet me shumë për këtë kundërshtar? Besoj që jo!”, tha Dreshaj. Ai më tutje tregon se Haxhiu stërvitet maksimalisht që nga muaji shtator i vitit të kaluar me synim që të jetë në formën më të mirë të mundshme. “Haxhiu gjendet në stërvitje që nga mesi i muajit shtator, ishin të planifikuara dy duele të tjera, por çdo gjë ndryshoi kur WBO e shpalli duelin Krasniqi vs Abraham dhe i tërë fokusi kaloj tek kjo luftë”, thotë Dreshaj. Krasniqi vs Abraham, një sfidë që sjellë emocione të pakufishme. Një sfidë përtej sfide në mes dy boksierëve më të mirë, por Krasniqi është më i vendosur se kurrë për fitore, që ta bën të lumtur kombin shqiptar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat