Cotto mposhtet dhe tërhiqet nga boksi

Boksi

Cotto mposhtet dhe tërhiqet nga boksi

Më: 3 dhjetor 2017 Në ora: 18:40
Pamje ga meçi

Boksieri Miguel Cotto ka humbur duelin ndaj Sadam Ali, të vlefshëm për titullin kampion të peshës “light-middleweight”, në kategorinë WBO, sfidë që u zhvillua në stadiumin “Madison Square Garden” të Nju Jorkut. Portorikani Coto, 37 vjeç, pat fituar këtë titull më 26 gusht të këtij viti, por nuk arriti ta mbrojë atë, pasi u mund nga amerikani Sadam Ali, që triumfoi me vendim unanim të gjyqtarëve. Kjo ishte sfida e 47-të dhe e fundit si profesionist për Cotto, pasi deklaroi se nuk do të ngjitet më në ring, duke e mbyllur karrierën e tij me 41 fitore (33 me KO) dhe 6 humbje. Ndërsa për Ali ky ishte triumfi i 26-të në karrierë, ku ka vetëm një humbje, raporton telesport.

Një përballje mjaft e bukur, me 12 raunde, ku të dy boksierët grushtuan fort dhe treguan se janë kampionë, por në fund të tri gjyqtarët vendosën se Ali është fitues, duke i dhënë atij fitoren (115-113, 115-113 dhe 116-112 rezultati i gjyqtarëve). Cotto, 6 herë kampion bote në kategori të ndryshme, mbeti i zhgënjyer pas kësaj humbje, por duket se diferenca në moshë (Ali është 7 vjet më i ri) ndikoi në këtë rezultat. “Kjo është sfida ime e fundit. Tani dua të jem i lumtur, në shtëpinë time dhe të kënaqem me familjen time. Ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen që me keni dhënë në këto vite, ky stadium ka qenë shtëpia ime”, tha Cotto pas duelit.

Në karrierën e tij 17-vjeçare, portorikani Cotto është përballur dhe ka fituar ndaj shumë boksierëve të mëdhenj, si Zab Judah, Paulie Malignaggi, Shane Mosley, Antonio Margarito dhe Ricardo Mayorga, por ka humbur në përballjet ndaj Floyd Mayweather, Saul “Canelo” Alvarez dhe Manny Pacquiao. “Gjërat e mira ndodhin vetëm për njerëzit e mirë. Jam stërvitur që kur kam qenë 8 vjeç dhe jam i lumtur që ky triumf, ky titull i parë për mua vjen këtu, në këtë stadium, në qytetin tim të lindjes. Kam punuar shumë për të ardhur deri këtu dhe e meritova fitoren. Shpresoj të ndjek gjurmët e Miguel Cotto”, tha boksieri amerikan Sadam Ali pas fitores.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat