Triumfi i kampionëve shqiptarë në Halle të Gjermanisë

Boksi

Triumfi i kampionëve shqiptarë në Halle të Gjermanisë

Nga: Sami Blakaj Më: 4 shkurt 2018 Në ora: 20:31
Elvis Hetemi i cili në kategorinë super të mesme mposhti çekun Stanisllav Eschner

Robin Haxhi Krasniqi, Jurgen Uldedaj dhe Elvis Hetemi ishin tre boksierët shqiptarë që mbrëmjen e 3 shkurtit dhuruan një spektakël të jashtëzakonshëm boksi në Halle të Gjermanisë.

Ishte pikërisht salla "Gas Arena"  ku plotë 16 boksier profesionist të të gjitha moshave do të ngjiteshin në ring për të "rrëmbyer" tituj të rëndësishëm. Kësaj salle ia kishin mësyer edhe shumë shqiptarë që kishin ardhur nga qytete të ndryshme të Gjermanisë për t'a ndjekur mbrëmjen e nxehtë të boksit.  Në mesin e shumë bashkatdhetarëve ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani, z. Astrit Zemaj, i cili kishte ardhur enkas nga Berlini për t'i dhënë përkrahje boksierëve shqiptarë.  

Në një atmosferë fantastike, të krijuar nga tifozëria shqiptare, nën flamujt kombëtar dhe nën tingujt e muzikës shqipe, tre boksierët shqiptarë u ngjitën në ringun e boksit.  I pari nga boksierët që iu drejtua ringut ishte Elvis Hetemi i cili në kategorinë super të mesme mposhti çekun Stanisllav Eschner. Kosovari triumfoi me vendim unanim pas gjashtë rundeve boks. Kjo ishte ndeshja e 10-të në karrierën e tij në boksin profesionist dhe njëherësh fitorja e 10-të. Tetë nga fitoret, Elvisi i kishte realizuar me nokaut. 

Image

Pas boksierit Hetemi, në ring do të ngjitej boksieri nga Shqipëria Jurgen Uldedaj i cili në përballje kishte boksierin çek Jakub Synek. Boksieri Uldedaj dominoi gjatë gjithë takimit ndaj çekut 33 vjeçar duke e hedhur në tapet në raundin e 8-të.  20 vjeçari Uldedaj erdhi në këtë përballje të parë për këtë titull, pas 7 ndeshjeve dhe 7 fitoreve bindëse  si profesionist për të fituar titullin “International German Championship” për peshat deri në 90 kilogram.

Në një atmosferë krejt të veçantë dhe nën tingujt e këngës "Kuq e Zi", në ring u ngjit edhe boksieri Robin Krasniqi, 30-vjeçari nga Juniku, i cili ia doli të zhvillojë një ndeshje mjaft të mirë. Haxhi Krasniqi, apo Robin, siç njihet më së shumti, arriti të triumfojë në sfidën ndaj polakut  Bartlomiej Grafka, pas 8 raundesh. Fitorja e Haxhi Krasniqit përmbylli fitorën e tretë të boksierëve shqiptarë brenda mbrëmjes së 3 shkurtit, duke u shënuar kështu si mbrëmja e kampionëve shqiptarë të boksit profesionist.

Medaljet e fitores për boksierin Krasniqi dhe boksierët Uldedaj dhe Hetemi, u ndanë në prezencën e Ambasadorit Zemaj, i cili me këtë rast përcjelli urimet dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme për boksierët dhe boksin shqiptar në përgjithësi.

Ambasadori Zemaj ishte mbështetës i dëshmuar i sportit në diasporë gjatë viteve të shërbimit në FFM dhe Berlin dhe si i tillë vazhdon të mbetët edhe sot. duke qenë gjithnjë në përkrahje të arenës sportive shqiptare, por edhe në të gjitha fushat e tjera që janë në interes të diaspores shqiptare.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat