Mayweather: Jam i gatshëm të luftoj në kafaz

Boksi

Mayweather: Jam i gatshëm të luftoj në kafaz

Më: 17 mars 2018 Në ora: 06:50
Floyd Mayweather

Pas supozimeve dhe rrjedhjes së vazhdueshme të informacioneve, më në fund vjen lajmi “bombë”. Floyd Mayweather ka deklaruar në sajtin TMZ që në moshën 41-vjeçare nuk ka ndërmend të ndalet, por dëshiron të kalojë te artet marciale mikse.

“Jam shumë serioz për këtë që po them”, këmbënguli boksieri me ecurinë më të mirë në historinë e boksit.

Në fakt, këtë lajm e kishte konfirmuar pak ditë më parë edhe kampioni aktual i peshës “velter” në UFC, Tyron Woodley, i cili do të jetë trajneri i “Money”.

“Mund të luftoj në MMA, teknika ime e luftimit nuk është keq, nga 1 deri te 10 do t’i vija notën 7, por mundësitë janë për të shkuar te nota 9. Do të përmirësohem në goditjet me shkelma, sepse me grushtet jamë shumë mirë”, vijoi më tej Mayweather.

Ky kapërcim, në fakt, i ngjan atij të Conor McGregor, që nga UFC tentoi të kishte sukses pikërisht kundër Mayweatherit në boks.

“Do të kem nevojë për pak më shumë se tre muaj stërvitje, ndoshta nga 6 deri 8 muaj. Do të marr kohën e nevojshme, dua t’i bëj gjërat në mënyrën e duhur”, shprehet ai.

Pas këtij njoftimi, është e logjikshme të mendosh se mund të vendoset për një tjetër duel me McGregor, edhe pse ende nuk ka një marrëveshje me UFC. Gushtin e vitit të kaluar, Mayweather fitoi 100 milionë euro nga përplasja me kampionin irlandez të UFC. Në një tjetër sfidë revanshi në MMA mund ta përfitojë sërish këtë shumë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat