Aziz Salihu: I lutem Haxhiut që të mbaj distancën

Boksi

Aziz Salihu: I lutem Haxhiut që të mbaj distancën

Nga: Kemajl Goca Më: 1 qershor 2018 Në ora: 13:31
Aziz Salihu

Boksieri i mirënjohur Haxhi Krasniqi është në formën më të mirë të mundshme dhe nesër synon fitore kundër rusit Stanislav Kashtanov. Në “WEE Arena” në Bad Tolz afër Munihut do të zhvillohet meçi, ku pritet një atmosferë e zjarrtë sportive dhe një numër i madh i bashkatdhetarëve tanë në përkrahje të kryetrimit tonë, Haxhiut, në meçin e vlefshëm për titullin kryesor të EBU-së në kategorinë super të mesme.

Krasniqi ka studiuar shumë mirë kundërshtarin dhe e di se kah mund të vije edhe rreziku. Krasniqi është më i përgatitur se kurrë dhe beson në fitoren e madhe.  Ish boksieri i mirënjohur Aziz Salihu, fitues i medaljes së bronztë olimpike në vitin 1984 në Los Anxhelos, tha se Krasniqi është boksier me potencial të hatashëm dhe i mund të gjithë, vetëm i duhet  një boks i mençur dhe në distancë.

“Rusët janë boksierë të mirë, ndërsa Haxhiut i duhet qetësi dhe jo me u turr pa nevojë gjatë luftës. Haxhiu duhet me boksuar në distancë, sepse është shumë i mirë, i shpejt dhe i ka krahët e gjatë dhe kë të do mundet me mposht në botë. Unë i kam rrah 6 kampionë bote e të Evropës, i kam mundur me mençuri e me teknikë. I lutem Haxhiut që të mbaj distancën, jo me ikë në ring, por me qëndruar midis ringut dhe me sulmua mençur.

Boksierët rusë e kanë një teknikë të përsosur dhe janë të rrezikshëm. Haxhiu është shumë i mirë, por po çuditem me të se si po humbë në luftë për titull sepse ka një potencial të jashtëzakonshëm. Haxhiu e njeh boksin mirë, por i duhet fuqi e kondicion dhe me boksuar me mend. Besoj në fitoren e Haxhiut sepse është një djalë i mrekullueshëm”, tha Salihu për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat