Makolli: Nuk lejoj që dikush të mbetet me pasoja

Boksi

Makolli: Nuk lejoj që dikush të mbetet me pasoja

Nga: Kemajl Goca Më: 1 gusht 2018 Në ora: 16:50
Fatmir Makolli

Kick-box-i është nga sportet me stabile në vendin tonë, kështu tha Fatmir Makolli, kryetar i Federatës së Kick-Box-it të Kosovës.  Ky sport pret më shumë ndihmë nga dora e shtetit. Makolli shprehet se i kanë objektivat e qarta gjatë këtij viti por në radhë të parë janë të fokusuar edhe në Kampionatin Evropian për juniorë që mbahet gjatë muajit shtator.

Numri një i federatës tha se gjithmonë kanë punuar në kick-box në zbulimin dhe formimin e talenteve dhe që kanë sjellë edhe rezultate qoftë nga rrafshi vendorë qoftë nga ai ndërkombëtar. “Me të thënë të drejtën, Federata e Kick-Box-it është shumë stabile, gjithmonë ka punuar dhe ka pasur talente, si dhe ka qitur kampionë shumë të mëdhenj.

Prej kësaj federate janë dalë shumë emra dhe nëpër botë kanë suksese të mëdha, që nga Tahir Menxhiqi, kampion bote në versionin WKA etj. Dihet se Federata jonë e ka licencën WAKO dhe është anëtare e barabartë e saj, si me gjitha shtetet tjera dhe shumë herë marrim pjesë në kampionate zyrtare të WAKO-s. E jona si gjithmonë është që të punojmë sa më shumë dhe të kemi suksese më të mëdha, të ngrisim nivelin e referimit, trajnerëve dhe të administratorëve, për një të ardhme më të fuqishme”, thotë Makolli për gazetën kombëtare “Bota sot”.

Përveç që kërkon ndihmë në qendër nga dora e shtetit, shpreson që edhe në qytetet ku ekzistojnë klubet e kick-box-it të ndihmohen nga Komunat. “Kick- box-i duhet të përkrahet me shumë prej shtetit përkatësisht MKRS-së, po ashtu ku janë klubet në çdo qytet, që të kanë mbështetjen e Komunës. Klubet sa më të fuqishme edhe federata është më e fuqishme. Kosova ka shumë talent në kick- box dhe në sportet luftarake po ka edhe suksese si shtet. Sportet luftarake dominojnë dhe sjellin medalje më së shumti nga arena ndërkombëtare, kjo është dëshmuar sa e sa herë”, theksoi ai.

Makolli thotë se kick-box-i është sport specifik dhe duhet pasur kujdes dhe me garuesit që janë të rinj e të papërvojë.  “Nuk është vështirë me organizuar Kampionatin e Kosovës për të gjitha grup-moshat, por kick-box-i nga sportet tjera është më specifik, sporti më i rëndë. Nuk mundesh mi organizuar garat dhe ta fusësh në luftë një fillestar me një me përvojë sepse mbesin me pasoja. Kemi shumë disiplina, por në ato me të lehta përqendrohem me garues fillestar, pra me fëmijë. Kick-box-i është sport i rëndë. Në atë aspekt i shikoj shumë gjërat dhe nuk lejojë që dikush të mbetet me pasoja për të ardhmen ose një fillestar të ndeshet me atë që ka shumë përvojë. Garuesit duhet mi ruajtur sidomos ata fillestarët. Sportistët nuk tolerojë që t’i marrim në qafë dhe me ia humbë karrierën sepse nëse e fut në duel me dikë që ka përvojë, lehtë mund të ketë pasoja”, tërheq vërejtjen Makolli.

Ai tha se po përgatiten për Kampionatin Evropian për juniorë: “Kemi Kampionatin Evropian për juniorë në muajin shtator, që mbahet në Sllovaki. Kemi katër garues shumë të mirë, si Valdrin Ibishi i cili ka marrë medalje në turneun e sivjetmë në Turqi, pastaj Gëzim Behrami me perspektiv, që janë të Vushtrrisë, garues që kanë pasur edhe medalje ballkanike vitin e kaluar. Besoj se do të jenë shumë të suksesshëm".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat