“Goodbye Christopher Robin”

Bota e Yjeve

“Goodbye Christopher Robin”

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 14:21
Margot Robbie

Që prej “The Wolf of Wall Street” nga ku mori rrugë fama e saj, aktorja australiane Margot Robbie nuk ndalet më.

Ajo shkeli në Londër tapetin e kuq të premierës së filmit të vet më të fundit “Goodbye Christopher Robin”, ku interpreton në krah të aktorit irlandez Domhnall Gleeson. Rrëfenja e jetës së krijuesit të “Winnie the Pooh”, Alan Alexander Milne, tregon historinë e trishtë që fshihet pas arushit të lumtur dhe miqve të cilët e shoqërojnë ngado. 

Filmi përqendrohet tek marrëdhënia e trazuar e autorit me të birin, Billy, i cili në përrallë vjen në formën e Christopher Robin dhe krijimit të pazakontë të personazhit aq të dashur nga fëmijët, të drejtat e të cilit iu shitën më vonë Disney-t. Në rolin e Robinit vjen aktori 8-vjeçar Will Tilston, i cili nuk e dinte se çfarë qëndronte pas arushit të hareshëm. 

“I kam lexuar librat, por nuk e dija që Christopher Robin ishte një person real. Nuk e njihja as historinë e vërtetë të kësaj përralle, por jam i kënaqur që e mësova”, tha Tilston.
 
Margot thotë se tani është vënë në kërkim të roleve femërore pozitive: “Po kërkoj role të mira. Ne nisëm një kompani produksioni dhe kemi qenë aktivë në krijimin e roleve të tilla, shpresoj që të arrijmë të kontribuojmë sadopak për këtë. Më pëlqen të interpretoj personazhe të ndryshme”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat