Merkel viziton Athinën - Bota Sot
Merkel viziton Athinën

Bota

E enjte, 28 korrik 2016

Merkel viziton Athinën

Më: 9 tetor 2012 Në ora: 17:34

Kancelarja gjermane Angela Merkel zhvilloi sot bisedime në Athinë me kryeministrin e vendit ndërkohë që kryeqyteti grek u përfshi nga protestat masive. Kjo është vizita e parë e zonjës Merkel në Greqi që nga fillimi i krizës së eurozonës tre vjet më parë.
Qëndrimi pesëorësh i Kancelares Merkel shihet nga qeveria greke si një shtytje shumë e nevojshme për të ardhmen e vendit në Evropë, por protestuesit e shohin atë si një paralajmërim për masa të mëtejshme shtrënguese.

Më shumë se 7,000 policë ishin mobilizuar në Athinë. Ata kishin rrethuar parqe dhe pjesët e tjera të qytetit për të mbajtur larg demonstruesit nga bisedimet e udhëheqëses gjermane me kryeministrin konservator Antonis Samaras dhe zyrtarë të tjerë.


Protestuesit u përpoqën të hiqnin barrikadat jashtë parlamentit dhe u përleshën me policinë për të sfiduar masat shtrënguese, ndërkohë që zonja Merkel zhvillonte takime udhëheqësit politikë.
Një grup protestuesish ishin veshur si oficerë nazistë.
“Mesazhi ynë është një. Tradita demokratike në Evropë nuk lejon që populli grek, një popull evropian të kthehet në një kavie për krizën dhe që Greqia të bëhet një varrezë sociale. Ne do të fitojmë, sepse drejtësia është në anën tonë,” tha Alexis Tsipras, udhëheqës i Partisë Syriza.

Masat e ashpra të sigurisë përfshinin ndalimin e tubimeve publike jashtë Ambasadës Gjermane dhe në pjesë të tjera në qendër të Athinës, si dhe në hapësirën prej 100 metrash nga rruga ku do të kalonte autokolona që vinte nga aeroporti. Të paktën 40 vetë u ndaluan për t'u marrë në pyetje. Policia ndalonte këmbësorë edhe në zonat ku lëvizja ishte e pakufizuar.

Shumë prej politikanëve kryesorë të Evropës kanë shmangur udhëtimet zyrtare në Greqi për të evituar rrezikun e një pritjeje jomiqësore, ndërkohë që vendi po përpiqet të mbajë angazhimet për të garantuar marrjen e kredive të shpëtimit dhe anëtarësimin afatgjatë në Eurozonë.

Zonja Merkel, vendi i së cilës është kontribuesi më i madh i kredive për Greqinë, e pranoi ftesën e zotit Samaras megjithë dështimin e qeverisë greke për të përfunduar marrëveshjen mbi një paketë masash të reja shtrënguese.

Që nga maji i vitit 2010, Greqia varet nga ndihmat financiare të Evropës dhe të Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për të marrë kredi, ajo ka zbatuar një sërë shkurtimesh të buxhetit dhe rritje të mëdha taksash, duke rritur gjithashtu moshën e daljes në pension dhe lehtësuar shkurtimet në sektorin privat.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Çfarë tenton të arrijë Thaçi me përuljen që bëri para lapidarit të serbëve në Grackë të Lipjanit?

    Kërkon të “blejë" paqe me Serbinë

    Të heqë akuzat që janë përfolur ndaj tij

    Të mohoj gjenocidin serbë në Kosovë

    Të duket i mirë para ndërkombëtarëve

    Shiko rezultatet
test