Mesha e parë e Papa Françeskut në Vatikan

Bota

Mesha e parë e Papa Françeskut në Vatikan

Më: 17 mars 2013 Në ora: 22:55

Brohoritjet entuziaste të turmës prej mbi 300 mijë personash, të mbledhur në shesh dhe në rrugët përreth, pritën daljen në dritaret e apartamentit papnor të Papa Françeskut, i cili, për herë të parë bëri lutjen tradicionale të Angelusit. Gjatë këtij takimi me besimtarët, që sot kishte një vlerë të veçantë, ai tha: “Pak mëshirë e ndryshon botën, e bën atë më pak të ftohtë e më pak të padrejtë”.

Pa ndjekur traditën e përshëndetjes në gjuhë të ndryshme, përpara se të largohej, Shenjtëria e Tij përshëndeti thjesht me një togfjalësh “drekën e mirë”.

Mirëpo, për dallim nga shumë paraardhës të tij ai foli pa mbajtur kurrfarë letre para vetes, kurse lutjen e lexoi në gjuhën spanjishte. Më parë, ai kishte shkuar të lutej në kishën Sant’Anna. Duke i ikur kontrollit të rojeve, ai priti jashtë besimtarët, duke i përqafuar dhe përshëndetur një për një.

Në këto dalje të para publike, Ati i Shenjtë ka sjellë kudo ku ka shkuar buzëqeshje dhe mirësi, si mes besimtarëve, ashtu edhe dje mes mijëra gazetarëve, të mbledhur në sallën e shtypit.

Me sa duket, pas një pape teolog, si Benedikti i 16-të, Selia e Shenjtë do të ketë në krye një papë me aftësi të mëdha komunikimi, të bashkuar më një thjeshtësi të mençur.

Pritet që ditën e martë, në meshën inauguruese të Papatit të ri në Romë, të mbërrijnë në rreth 1 milionë pelegrinë dhe dhjetëra kryetarë shtetesh e qeverish.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat