BE i thotë po sistemit europian të përbashkët të azilit

Bota

BE i thotë po sistemit europian të përbashkët të azilit

Më: 28 mars 2013 Në ora: 19:22

Europa i jep fund abuzimeve me sistemet e azilit të përveçme të shteteve anëtare të Bashkimi Europian, duke i thënë po sistemit europian të përbashkët të azilit. Sistemi i përbashkët i azilit përmban rregulla të njëjta për të gjithë kërkuesit e azilit, pavarasisht se në cilin shtet anëtar bëhet kërkesa. Kjo do të përshpejtojë dhe përmirësojë proçedurat e azilit në të gjitha shtetet anëtare dhe do të evitojë automatikisht që kërkuesit e azilit të provojnë shansin e tyre nga një shtet në tjetrin. Një azil i refuzuar nga një shtet anëtar, do të thotë refuzim në të gjithë territorin e Bashkimit Europian. Përmes sistemit të përbashkët të shenjave të gishtave dixhitale do të identifikohen menjëherë autorët e vrasjeve apo akteve të terrorizmit. Një arritje historike, siç e konsideron edhe komisionerja Cecilia Malström përmes zëdhënësit të saj.
“Marrëveshja për dy tekstet mbi sistemin e përbashkët të azilit do të thotë që ne po shkojmë drejt aprovimit të paketës së propozuar nga Komisioni Europian. Sistemi i përbashkët i azilit ka qenë prioritet i komisioneres Malmström që në fillimin e mandatiti të saj. Krijimi i këtij sistemi është një hap historik që shtetet anëtare dhe Parlamenti Europian kanë patur si synim që në samitin e Tamperes në 1998”, u shpreh Michele Cercone , zëdhënës i Komisionit Europian.
Sistemi i përbashkët i azilit do të sigurojë një mbrojtje më të mirë për azilantët, duke bërë të mundur që personat që janë larguar nga persekutimi, të mos kthehen më në një situatë rreziku dhe të përfitojnë nga kushte dinjitoze jetese. Sipas shumë gjasave, sistemi i përbashkët i azilit pritet të hyjë në fuqi brenda fundit të vitit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat