Policia shpërndan protestuesit para tubimit të Erdoganit

Bota

Policia shpërndan protestuesit para tubimit të Erdoganit

Më: 16 qershor 2013 Në ora: 18:54

Policia turke vazhdoi edhe sot të përdorë gazin lotsjellës dhe topat e ujit kundër protestuesve në Stamboll, pas një nate plot incidente dhune.
Rritja e tensioneve vjen në prag të një tubimi që pritet të organizojë partia në pushtet e kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan.
Buldozerët hoqën barrikadat rreth Sheshit Taksim, kur mijëra protestues që ndodheshin në parkun “Gezi” dolën në rrugët anësore, të dëbuar me forcë nga policia.
Guvernatori i Stambollit tha se nuk do të lejojë zhvillimin e një tubimi të madh antiqeveritar në Taksim të planifikuar për sonte nga grupet e protestuesve.
Po sot, punëtorët e bashkisë pastruan në parkun “Gezi” mbetjet e fundit nga protestat e filluara dy javë më parë dhe policia e mbylli zonën, për të mos lejuar kthimin e demonstruesve në vendin që është bërë epiqendra e sfidës për zotin Erdogan, më e vështira me të cilën ai përballet gjatë 10 viteve të tij në pushtet.
Forcat e sigurisë vazhduan edhe sot të përleshen me protestuesit në rrugët anësore jashtë parkut dhe në zona të tjera. Në kryeqytetin Ankara, policia shpërndau qindra njerëz që u përpoqën të mbajnë një ceremoni përkujtimore për një aktivist të vrarë gjatë operacioneve të forcave të rendit në fillim të këtij muaji.
Homazhi i një të vdekuri në protestat
Vëllai i një të vdekuri në protestat në Stambollit, u gjunjëzua në rrugë nga gazi lotsjellës dhe topat e ujit që u përdorën kundër tij dhe homazhit të të vëllait. Përleshjet shpërthyen në procesin e funeralit për një protestues, i cili ka vdekur nga plumbat e policisë, dy javë më parë. Në orët e mbasditës sot, protestat u shpërndan plotësisht dhe vendi u pastrua.
Rrënja e protestave
“Trazirat në Stamboll filluan gati tre javë më parë, kur një grup i vogël njerëzish doli për të protestuar kundër planeve të qeverisë për shndrimini e parkut ‘Gezi’ në një qendër tregtare, e ngjashme kazermat otomane të shekullit 19-të”-shkruan “CCN”.Protestuesit thanë se planet ishin një shkelje e të drejtave të tyre si një shoqëri laike.
Turqia u themelua pasi laikët, në fillim të shekullit të 20-të mposhtën forcat islamike Osmane. Trazirat gjithashtu sinjalizuan dhe një rrezik për të ardhmen politike të Erdoganit, një politikan populist dhe të zgjedhur në mënyrë demokratik. Ky është mandati i tretë i Erdoganit si kryeministër i Turqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat