Siguria e përëndimorëve në Jemen

Bota

Siguria e përëndimorëve në Jemen

Më: 7 gusht 2013 Në ora: 08:23

Një aeroplan ushtarak i Shteteve të Bashkuara me diplomatë amerikanë është nisur nga Jemeni në drejtim të një baze ushtarake në Gjermani.
Departamenti Amerikan i Shtetit urdhëroi evakuimin e personelit jo të domosdoshëm nga ambasada në Jemen për shkak të kërcënimeve për një sulm të mundshëm terrorist.
Departamenti i Shteti po ashtu u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të cilët kanë vendosur të qëndrojnë në Jemen që të kufizojnë lëvizjet e tyre.
Edhe Britania ka evakuuar të gjithë personelin nga ambasada e saj në Jemen. Ndërkohë, 19 ambasada dhe konsullata të tjera amerikane në Lindjen e Mesme dhe Afrikë do të qëndrojnë të mbyllura gjatë gjithë kësaj jave.

Perëndimorët që jetojnë në Jemen janë duke marrë masa shtesë të sigurisë në prag të paralajmërimeve amerikane dhe britanike rreth kërcënimeve të mundshme për sulme terroriste dhe mbylljen e ambasadave të huaja.
Nga zyra e tij në Jemen, një zyrtar i një organizate humanitare me bazë në Shtetet e Bashkuara thotë se po përpiqet të mos tërheq vëmendjen e të tjerëve dhe kërkon që mos të identifikohet emri i tij dhe emri i organizatës për të cilën punon. Ai është një nga dhjetra e perëndimorët të cilët me shumë kujdes po qëndrojnë në këtë vend, pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania evakuuan me ngut shumicën e stafit të ambasadave të tyre.
Ky zyrtar thotë se nuk ka plane të menjëhershme për tu larguar nga Jemeni, por është duke i marrë me seriozitet paralajmërimet.
"Ne qëndrojmë vetëm në shtëpi, larg syve të publikut dhe larg vendeve publike."
Ai thotë se edhe nëse nuk do të kishte paralajmërime për sulme të mundshme terroriste, zyra e tij do të ishte e mbyllur gjatë ditëve të ardhshme për shkak të festës myslimane të Bajramit të Madh, e cila shënon fundin e Ramazanit.
Ai gjithashtu thotë se përkundër paralajmërimeve për sulme të mundshme terroriste, jeta në rrugët e qytetit Sana duket normale.
"Ne nuk duhet të ndikohemi nga ajo që shohim . Kërcënimi është i pranishëm dhe unë mendoj se marrja e masave të sigurisë është e arsyeshme si dhe lëshimi i paralajmërimeve. Mendoj se ne duhet jemi të kujdesshëm dhe duhet ta analizojmë situatën."
Gazetarja amerikane Alex Potter thotë se ajo ka vënë re shtimin e postblloqeve të sigurisë në Sana. Megjithatë, ajo ka në plan të qëndrojë të paktën për një kohë të caktuar.
"Unë jam e lidhur me jemenasit këtu dhe ndjehem shumë e sigurt, sepse njoh një grup të mirë njerëzish."
Iona Craig është një gazetare britanike e pavarur e cila ka jetuar në Jemen për tre vjet.
Ajo thotë se edhe para lëshimit të paralajmërimeve nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për sulme të mundshme terroriste, ajo kishte filluar të tregont më shumë kujdes për shkak të disa përpjekjeve për rrëmbimin e perëndimorëve.

"Unë duhet të jem e kujdesshme kur lëvizi nëpër qytet. Nuk ka një rutinë të përditshme në punën me të cilën merrem por thjeshtë duhet të përpiqesh të përshtatesh me mjedisin përreth duke mos veshur rrobat perëndimore dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. "
Gazetarja Craig thotë se ka shenja të shtimit të sigurisë në Sana. Ajo thotë se ka parë aeroplanë survejimi që fluturojnë mbi qytet.
Ajo gjithashtu tha se qeveria u ka kërkuar organizatave humanitare ndërkombëtare të kufizojnë aktivetet gjatë natës. Ndërkohë, Jemeni ka dislokuar qindra automjete të blinduara ushtarake për të siguruar pallatin presidencial, ndërtesat jetike dhe ambasadat perëndimore në kryeqytet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat