Këshilli i Sigurimit së OKB-së thërret për përmbajtje në Egjipt

Bota

Këshilli i Sigurimit së OKB-së thërret për përmbajtje në Egjipt

Më: 16 gusht 2013 Në ora: 09:53

Këshilli i Sigurisë së OKB-së u mblodh në një sesion emergjence me dyer të mbyllura, në New York, për të diskutuar mbi dhunën në Egjipt. Në fund të tij u konkludua për t'i bërë thirrje të gjitha partive në Egjipt të vetëpërmbaheshin.

Ky takim vjen një ditë pasi të paktën 638 persona mbetën të vdekur, kur forcat e sigurisë bastisën kampet e protestuesve të mbledhur në Kajro, të thirrur nga Vëllazëria Myslimane prej javësh, të cilët kërkonin rikthimin e presidentit Mohammed Morsi në krye të shtetit, pas rrëzimit nga ushtria në korrik.

Pavarësisht thirrjeve të jashtme për të ulur tensionet, Gehad El-Haddad, një zëdhënës i Vëllazërisë Myslimane, shkroi në Twitter për fillimin e protestave antiqeveritare gjatë së premtes, nga të gjitha xhamitë në Kajro, për t'u mbledhur në një miting masiv në sheshin Ramses, në qendër të kryeqytetit. Ai e quajti atë që do të vijë në vijim si “E premtja e zemëratës”.

Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, dënoi dhunën e ushtruar dhe anuloi ushtrimet e përbashkëta me Egjiptin, të programuara në fund të këtij muaji. Ai tha se bashkëpunimi nuk mund të vazhdojë, ndërkohë që vriten civilët. Gjithsesi, ai u ndal shumë pak në lidhje me prerjen e fondit ndihmë prej 1,3 miliardë dollarë, që SHBA-të ua japin Egjiptit.

Egjipti ndodhet aktualisht në gjendje të jashtëzakonshme emergjence. Ministri i Brendshëm i dha policisë autorizim për të përdorur municione reale për vetëmbrojtje, apo kur ndesheshin me sulme ndaj ndërtesave të qeverisë.

Shumë zona janë prekur anembanë vendit nga patrullimet policore. Ndërkohë që SHBA-të kanë paralajmëruar shtetasit e tyre të mos udhëtojnë në Egjipt, ndërsa ata që ndodhen atje duhet të largohen sa më parë.

Në dhunën e fundit të së enjtes, qindra anëtarë të Vëllazërisë i vunë zjarrin një ndërtese qeveritare pranë Kajros. Pamjet e televizioneve lokale treguan zjarrëfikësit duke nxjerrë punonjësit nga ndërtesa, ku gjenden zyrat e qeverisë lokale të Gizas.

Televizioni shtetëror, “Nile News”, raportoi gjithashtu përplasje mes anëtarëve të Vllazërisë dhe rezidentëve në një periferi të qytetit të dytë më të madh të Egjiptit, Aleksandri. 7 ushtarë egjiptianë janë qëlluar për vdekje nga një i armatosur ende i paidentifikuar, pranë qytetit të El Arish, në rajonin Sinai, sipas forcave të sigurisë.

Qeveria njoftoi se 638 njerëz kanë vdekur në të gjithë vendin, që prej së mërkurës, por numri përfundimtar i viktimave mund të jetë shumë herë më i madh.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, konfirmoi se SHBA-të do të ruajnë lidhjet ushtarake me Egjiptin, pavarësisht kritikave të presidentit Obama, i cili ndër të tjera theksoi se “nuk mbajmë anën e asnjë pale politike në vend”. Por, Hagel tha se dhuna po vendoste “elementë të rëndësishëm të bashkëpunimit afatgjatë të mbrojtjes në rrezik”.

Edhe figura të tjera ndërkombëtare kanë dënuar dhunën e së mërkurës. Navi Pillay, Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, kërkoi një hetim të pavarur dhe të paanshëm për atë çfarë ndodhi.

“Numri i njerëzve të vrarë apo të plagosur, qoftë edhe bazuar mbi shifrat e qeverisë, tregon një përdorim të tejskajshëm apo ekstrem të forcës ndaj demonstruesve”, tha Pillay.

Presidenti i Francës, François Hollande, thirri ambasadorin francez në Egjipt, duke i thënë se “duhet bërë gjithçka, për të shmangur një luftë civile”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat