Ndërmjet ëndrrës dhe makthit

Bota

Ndërmjet ëndrrës dhe makthit

Më: 2 dhjetor 2013 Në ora: 15:17

Ukrainasit nuk heshtin. Këtë e tregon demonstrata e madhe në Kiev. Tani nuk është më fjala vetëm për Evropën, por për demokracinë në Ukrainë, mendon Bernd Johann.
Që nga i ashtuquajturi Revolucioni i Portokalltë para nëntë vjetësh në Ukrainë nuk ka pasur një valë të tillë të madhe protestash. Në dimrin e vitit 2004 njerëzit demonstruan për demokracinë dhe të ardhmen e vendit të tyre. Tani ata demonstrojnë përsëri. Sërish bëhet fjalë për demokracinë dhe të ardhmen e vendit. Dhe përsëri në qendër është Viktor Janukoviç. Sërish ai e ka në dorë, nëse Ukraina do të mbetet demokratike, apo do të jetë një shtet autoritar.
Atëherë njerëzit protestuan kundër Janukoviçit, sepse ai donte të bëhej president duke fallsifikuar zgjedhjet. Ai është tani president i Ukrainës. Por tani njerëzit demonstrojnë kundër tij, sepse nuk besojnë se ai dëshiron ta çojë vendin në Evropë. Ata demonstrojnë kundër tij, sepse kanë frikë se ai mund t'u heqë atyre jo vetëm perspektivën evropiane, por edhe demokracinë.

Protestë masive megjithë dhunën policore

Për këtë arsye më shumë se 100.000 njerëz dolën të dielën (01.12. 2013) në rrugë në kryeqytetin e vendit Kiev për të protestuar kundër qeverisë dhe kundër presidentit. Ata vinin nga të gjitha pjesët e Ukrainës. Studentë, punëtorë, por edhe të moshuar, edhe familje me fëmijë, megjithë shqetësimin se protestat mund të përshkallëzohen. Ata duan të theksojnë se nuk lejojnë, që dikush t'ua ndalojë për të protestuar kundër qeverisë dhe një presidenti, i cili ka ngrirë papritur asociimin e Ukrainës me BE, dhe ka bërë të ditur se do të bashkëpunojë sërish ngushtë me Rusinë.
Ka disa ditë që njerëzit demonstrojnë kundër këtij vendimi. Sepse ëndrra evropiane e demokracisë dhe e mirëqënies sipas modelit të vendeve të BE-së është shuar për momentin dhe madje mund të kthehet në makthin e një represioni shtetëror sipas modelit të vendeve autoritare fqinje, Rusisë dhe Bjellorusisë. Këtë e treguan ngjarjet e tmerrshme në Kiev natën duke u gdhirë e shtunë, kur njësitë speciale të ministrisë së Brendshme me brutalitet ekstrem dhe pa paralajmëruar vepruan kundër protestuesve paqësorë pro-evropiane.
Kthesë politike në Kiev
Ukrainasit i njohin sulme të tilla të policisë nga informimet e mediave nga Moska dhe Minsku. Por në vendin e tyre nuk ka patur gjëra të tilla që nga koha e Revolucionit të Portokalltë. Në kryeqytetin Kiev nuk ka kaluar thuajse asnjë javë pa ndonjë demonstrate ose miting. Ukrainasit janë mësuar që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike të lirisë së mbledhjes në mënyrë kreative. Por pikërisht tani, kur është fjala për një çështje të rëndësishme për Ukrainën, si asocimi me BE, që i preokupton mjaft njerëzit, policia përdor shkopinjtë e gomës kundër demonstruesve.
Këtu mund të vijë një kthesë politike, të cilën njerëzit nuk duan të pranojnë. Edhe këtë e tregon demonstrata masive në Kiev. Ukrainasit nuk lejojnë t'ua mbyllin gojën. Deri tani protestat në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës drejtoheshin kryesisht kundër vendimit të qeverisë për të shtyrë afrimin me BE. Por pas dhunës kundër demonstruesve paqësorë angazhimi mori një shtysë të re. Protestuesit nuk kërkojnë më vetëm ndryshimin e kursit të politikës së jashtme, ata tani kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe presidentit.
Presidenti nën trysni
Opozita, e cila prej vitesh lufton më kot për një politikë tjetër në Kiev, del më e fortë nga këto protesta masive. Protesta të tjera do të pasojnë. Ndërkohë është i paqartë reagimi i udhëheqjës së Ukrainës. Presidenti Janukoviç është nën presion të madh. Sepse edhe në vetë radhët e tij ka protesta të hapura. Disa deputetë janë larguar nga partia e tij. Edhe kreu i administratës së presidentit ka dhënë dorëheqjen.
Në vitin 2004 gjatë Revolucionit të Portokalltë Janukoviç pas një hezitimi të gjatë pranoi protestën e popullit. Tani ai ndodhet përsëri para një vendimi. A e respekton ai ligjin për lirinë e mendimit dhe të grumbullimit? Si do të reagojë ai ndaj kërkesës për dorëheqje? Këtyre pyetjeve duhet t'u përgjigjet ai tani. Dhe duhet të japë përgjigje, edhe nëse në fund do të realizohet ëndrra europiane, apo makthi nga një shtet autoritar, që nuk do të bëjë pjesë kurrë në Europë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat