Koment: ndihma për refugjatët - detyrë e të krishterëve

Bota

Koment: ndihma për refugjatët - detyrë e të krishterëve

Më: 9 shtator 2015 Në ora: 11:31

Refugjatët e kërcënojnë bërthamën e krishterë të Evropës. Këtë fjali e dëgjon jo vetëm nga Varshava dhe Budapesti. Por pikërisht një qëndrim i hapur për të krishterët është qendrim kristjan, mendon Christoph Strack.

Ka pak tema politike, për të cilat baza dhe përfaqësuesit e kishës katolike - në Romë dhe në Gjermani - shprehen kaq me unanimitet dhe kaq paralajmërues. Angazhimi për refugjatët mund ta sfidojë një kishë, e cila po shkëputet ngadalë ose është shkëputur nga përfytyrimi borgjez idilik i një kishe popullore. Edhe duhet ta sfidojë atë. Por e qartë është një gjë: qëndrimi i hapur për refugjatët është kristjan. Pa dyshim.

Në debatin aktual për refugjatët, Kryetari i Konferencës së Ipeshkve Gjermanë, Kardinal Reinhard Marx e shpreh me saktësi këtë në bisedë me DW: "Po të mos ndihmonim, po ta rrethonim Evropën me një mur dhe të lejonim që në muret tona të mbyten ose asfiksohen njerëz, atëherë me të vërtetë rrezikohet ekzistenca e krishterë e Evropës." Marx e sheh të rrezikuar në këtë pikë identitetin e Evropës: "Ne do të kemi një Evropë tjetër, po të mos u ndihmojmë atyre."

Takime në trenin me refugjatë

Marx nuk deshi të prononcohej shumë qartë për informacionet se një ipeshkv hungarez i ka quajtuar refugjatët "invazion" mysliman dhe kërcënim për vlerat e krishtera. Ai më tej e kishte akuzuar edhe Papën se nuk ia ka idenë, sepse ai bëri thirrje që të pranohen refugjatët. Për këtë një përshtypje shumë personale: në fundjavë unë i udhëtova për dy orë në trenin e refugjatëve, nga Budapesti për në Mynih. Dy baballarët e parë të familjeve, me probleme shëndetësore, të cilët më përshkruan ikjen e tyre përmes detit dhe Hungarisë, ishin të krishterë ortodoksë nga zona e Kobanes.

Kryetari i Konferencës së Ipeshkve gjermanë u përmbajt dhe nuk u tërhoqi vërejtje as ipeshkve në vende të tjera të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ashtu si është BE një krijesë pak a shumë e brishtë, që mbahet e bashkuar nga shumë aspekte financiare dhe prej një traditave që kujtohen në ditë përkujtimore, po kështu edhe organet e kishës katolike në të gjithë Evropën bashkojnë tradita shumë të ndryshme.

Të inkurajohen për ndihmë besimtarët lokalë

Të dielën, Papa shprehu dëshirën e qartë që çdo komunitet, çdo manastir në Evropë të krijojë mundësi për të pranuar një familje. Këtë ta bëjë jo famullitari vetëm, por kisha si e tërë. Mendjet e shkathëta llogaritën shpejt se në këtë mënyrë do të ndihmoheshin 500.000 familje. Dhe Gjermania, kisha katolike në Gjermani nuk ka pse të fshihet këtu. Vetëm në Mynih jetojnë 1000 refugjatë në ambjente kishtare, në rajone të tjera po përshtaten shkolla bosh ose përdoren dhomat e manastirit. E megjithatë, përfshirja e komuniteteve është diçka tjetër: sepse me sa duket Papa nuk do të inkurajojë për të ndihmuar vetëm shoqatat dhe profesionistët, por edhe besimtarët lokalë.

Pavarësisht nëse flitet për Budapestin, Vjenën apo Salcburgun, për Mynihun, Leipzigun ose Dortmundin. Në shumë qytete janë angazhuar vullnetarë të kishës. Njëkohësisht, jo pak ipeshkvë gjermanë informojnë se kanë marrë letra të zemëruara nga besimtarë katolikë, për të cilët angazhimi për refugjatët shkon shumë larg, të cilët për këtë shkak madje po dalin edhe nga kisha. Edhe kjo e bën të qartë se sfida e refugjatëve mund ta ndryshojë kishën. Por mikpritja e refugjatëve bën pjesë në identitetin gjenetik të kishave. Bën pjesë në një Evropë edhe më të krishterë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat