Refugjatët e Sirisë nuk ndihmohen në Rusi

Bota

Refugjatët e Sirisë nuk ndihmohen në Rusi

Më: 14 shtator 2015 Në ora: 11:09

Dhjetëra mijëra refugjatë vijnë në Evropë, shumica e tyre janë nga Siria. Sipas të dhënave të OKB-së, numri i refugjatëve sirianë e ka kaluar shifrën e katër milionëve. Gati dy milionë vetë janë regjistruar në Turqi, më shumë se një milion në Liban. Që prej fillimit të konfliktit të Sirisë në vitin 2011, mbi 350.000 mijë refugjatë sirianë kanë paraqitur lutje për azil në shtetet evropiane.
Në Shërbimin Federal rus të Migrimit, në të njëjtën periudhë kohore paraqitën kërkesë për azil vetëm 3.338 sirianë. Statusin zyrtar të refugjatit e morën vetëm 1.774 vetë.
Vështirësi me procedurën e azilit
"Unë nuk mund të mbështetem në këto shifra të Shërbimit Federal të Migrimit", thotë Svjetlana Ganushkina në bisedë me DW. Ajo është kryetarja e "Mbështetjes civile", e së vetmes OJQ ruse që angazhohet prej dekadash për interesat e refugjatëve. Ganushkina drejton veç kësaj rrjetin "Migrimi dhe e Drejta" të Qendrës ruse të të drejtave të Njeriut, "Memorial".
Sipas saj numri i refugjatëve sirianë në vend është shumë më i madh. Problemi sipas saj është se njerëzve nuk u jepet mundësia për procesin e azilit. "Një refugjat vjen, por atij nuk i ofrojnë takim tek autoritetet. Ose këta njerëz arrestohen dhe dëbohen. Ka shumë raste të tilla", shprehet me keqardhje Ganushkina. Numrin real të refugjatëve sirianë në Rusi ajo vlerëson te 10.000 vetë.
"Nuk ka ndihmë për refugjatët"
Në dallim nga vërshimi i refugjatëve drejt Evropës, ky numër duket gati i parëndësishëm, po të mbash parasysh sa e madhe është Rusia. Po pse shkojnë pa dëshirë sirianët në një vend, i cili thekson herë pas herë se është mik i Sirisë dhe se gjoja dëshiron ta ndihmojë Sirinë? " Shumicën e herëve ata e vështrojnë Rusinë si një shtet tranzit, meqenëse në Rusi nuk ka fare ndihmë për refugjatë", shprehet Ganushkina.
Fëmijët e refugjatëve e kanë të vështirë që të pranohen në shkollat ruse. Të rriturve nuk u japin punë. "Kur e ke fituar përkohësisht të drejtën e azilit, lejohet të punosh. Por punëdhënësit shpesh nuk e dinë këtë dhe nuk pranojnë refugjatë në punë", thotë Ganushkina. Veç kësaj, punëdhënësit kanë financiarisht më shumë interes të punësojnë migrantë ilegale pune.
Atdhe i çerkezëve sirianë
Më pak e njohur është që në Siri jetojnë më shumë se 100.000 çerkezë etnikë. Parardhësit e tyre u zhvendosën atje nga Perandoria Ruse në shekullin e 19-të, pas Luftës së Kaukazit. Në vitin 2012, me iniciativën e senatorit të atëhershëm të rajonit të Kaukazit Verior, Kabardino-Balkari, Albert Kasharov, në Këshillin e Federatës Ruse u diskutua një kthim i çerkezëve sirianë. "Në fakt nuk bëhet fjalë për kthim, por për shpëtimin e këtyre njerëzve", tha atëherë Kasharovi që ndërkohë nuk jeton më. Pika e debatit ishte se ku do të strehoheshin njerëzit. Kuotat e parashikuara për të kthyerit në Rusi qenë më të vogla se kuotat e atyre që donin të vinin në Rusi. Ideja e ngritjes së kampeve të refugjatëve nuk u mbështet nga autoritetet federative të Rusisë. Dhe me vdekjen e Kasharovit në vitin 2013, kjo temë u hoq hë për hë nga rendi i ditës.
Dëbim në vend të ndihmës
Në tri vitet e fundit në Rusi janë zhvendosur vetëm rreth 1500 çerkezë sirianë. Ata i mbështesin vetëm organizata të shoqërisë civile, nga vullnetarë dhe të afërm.Të gjithë refugjatët e tjerë nga Siria varen në Rusi nga aktivistët e të drejtave të njeriut, që i mbrojnë ata shpesh nga autoritetet shtetërore. Sepse ato duan t'i dërgojnë njerëzit në hall menjëherë në Siri, ku ka luftë civile dhe ku bën kërdinë "Shteti Islamik"./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat