Landet gjermane kërkojnë mbështetje

Bota

Landet gjermane kërkojnë mbështetje

Më: 16 shtator 2015 Në ora: 12:35

Kufiri jugor hungarez është mbyllur dhe me këtë edhe kalimi kryesor për refugjatët që vinin përmes rrugës ballkanike. Pak orë pas mbylljes së kufirit 175 kilometrash me Serbinë, qeveria e Budapestit njoftoi të martën (15.09) edhe mbylljen e kufirit me Rumaninë.
Ndërkohë disa udhëheqës të BE-së, përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel (CDU) dhe kolegun e saj austriak Werner Faymann, kanë kërkuar një samit të posaçëm për javën e ardhshme.

Merkel tha në samitin e kërkuar të 28 liderëve të BE-së duhet të diskutohet ndër të tjera në lidhje me mënyrën se si mund të mbështeten më mirë vendet e origjinës së refugjatëve. Edhe me Turqinë duhet të hyhet më mirë në kontakt. Një çështje tjetër do të jetë ndërtimi i qendrave të pritjes në kufijtë e jashtëm të BE-së.
Presidentit të Këshillit të BE, Donald Tusk njoftoi se vendimin për këtë samit do ta kumtojë të enjten.

Landet gjermane kërkojnë më shumë mbështetje

Në mbrëmje kancelarja Merkel u takua me kryeministrat e landeve gjermane. Aty u diskutua në lidhje me synimin e qeverisë gjermane për t'i lehtësuar landet për ndërtimin e strehimoreve shtesë fillestare për pritjen e refugjatëve.
Njoftohet se qeveria federale ka ofruar të ndërtojë 40.000 vende për pritjen fillestare të refugjatëve dhe për t'i administruar vetë ato. Atyre u shtohen edhe dy kampe fushorë me 5000 vende ku azilkërkuesit mund të regjistrohen dhe të shpërndahen pastaj nëpër lande. Kjo do të jetë detyrë e qeverisë federale dhe jo më e lndit të Bavarisë, ku kohët e fundit arritën dhjetra-mijëra refugjatë.

Kancelarja u shpreh se në lidhje me financimin dhe ndarjen e shpenzimeve mes federatës dhe qeverive të landeve vendimi do të merret në samitin për refugjatët javën e ardhshme. Në takimin e posaçëm të martën (15.09) në mbrëmje ishte në qendër të vëmendjes shpërndarja e drejtë të refugjatëve në Gjermani, rezervat e mundshme apo angazhimi i ushtarëve gjermanë për refugjatët./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat