Pa punë nuk ka integrim

Bota

Pa punë nuk ka integrim

Më: 17 shtator 2015 Në ora: 11:30

Nuk është hera e parë që emigrantët vijnë në numër të madh në Gjermani. Jo gjithmonë integrimi i tyre ka pasur sukses. Pse është kështu, shpjegon Franziska Woellert nga Instituti i Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin.
DW: Zonja Woellert, ju keni trajtuar edhe fazat më të hershme të emigracionit në Gjermani, për shembull, punëtorët migrantë (Gastarbeiter) dhe pasardhësit e tyre. Çfarë konkluzionesh mund të nxirrni në lidhje me integrimin?

Franziska Woellert: Sot mund të shihet qartë se Gjermania për një kohë të gjatë e ka humbur mundësinë e integrimit dhe nga kjo ka vuajtur dhe ende vuan. Gastarbeiter, ashtu siç e nënkupton emri, shiheshin si njerëz që kishin ardhur, dhe që do të iknin dikur, njerëz për të cilët nuk kishte përse të preokupoheshe më tej - aq më pak për integrimin e tyre. Ajo që është arritur për integrimin, është arritur nga vetë këto njerëz, por duke hasur në pengesa të mëdha.
Nga dallohen grupet e ndryshme të emigrantëve nga njëri-tjetri në aspektin e integrimit?
Grupet e origjinave të ndryshme dallojnë kryesisht në faktin, se përse ata kanë ardhur në Gjermani. Shumica e punëtorëve migrantë kanë ardhur së pari jo për të qëndruar shumë gjatë dhe së dyti, për të punuar kryesisht në profesione me kualifikim të ulët. Në shumicën e rasteve niveli i tyre arsimor ishte respektivisht i ulët. Kjo vlen të thuhet për shumë emigrantë të viteve të para nga vendet e Evropës Jugore, sidomos për grupin e madh të emigrantëve me origjinë turke. Dhe ngaqë nuk janë marrë masa të vërteta për integrimin, shpesh këta njerëz nuk kanë arritur as në brezin e dytë dhe të tretë të kompensojnë mungesën e arsimimit të brezit të parë.

Ndryshe ka qenë me iranianët, që erdhën në Gjermani pas rënies së Shahut në vitin 1979. Përse?
Ata ishin më shumë njerëz nga shtresat e larta, që kishin një arsim relativisht të mirë, që edhe ekonomikisht ishin në gjendje më të mirë, dhe që për shkak të aftësive të veta e kishin më të lehtë për t'u integruar këtu në Gjermani.

Kur është fjala për azil nuk pyetet për kualifikimet. Por ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere ka thënë se deri 20 për qind e refugjatëve të rritur, që vijnë aktualisht në Gjermani, janë analfabetë. Çfarë do të thotë kjo për integrimin?

Së pari duhet thenë se këto shifra janë krejtësisht supozime absolute. Ne nuk e dimë në këtë moment, se çfarë niveli kualifikimi kanë refugjatët. Ne do të kemi shumë njerëz me arsim të mirë, sidomos akademikë. Por do të ketë edhe njerëz me shumë pak arsimim. Ne jemi para kësaj sfide. Ka grupe, te të cilat duhet filluar jo vetëm me gjuhën gjermane, por me shkrim e këndim. Por është shumë herët për të thënë se sa janë.

Një nga konkluzionet tuaja kryesore është se integrimi është shumë i lidhur me punën.

Kështu është. Dhe kjo vlen edhe për refugjatët. Refugjatët nuk vijnë se donin të vinin patjetër, por për shkak se ata nuk mund të qëndronin aty ku ishin. Dhe ata vijnë me motivim të madh, për të ndërtuar një jetë më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Ata janë shumë të motivuar për të qenë vetë aktivë, për të krijuar diçka vetë. Dhe ata duhet ta kenë mundësinë për një gjë të tillë. Asgjë nuk është më zhgënjyese, se sa kur e ke bërë hapin drejt sigurisë dhe pastaj je i dënuar të rrish pa bërë asgjë. Që t'u jepet njerëzve mundësia për të marrë në dorë fatin e tyre, do të jetë një detyrë e madhe.

Ne kemi aktualisht një numër shumë, shumë të lartë njerëzish, që vijnë tkëtu në Gjermani. Ka integrimi një limit për shkak të shifrave të larta?

Integrimi duhet të vijë gjithmonë nga të dyja palët. Ne kemi në këtë moment në popullsinë gjermane një tolerancë të madhe dhe gatishmëri për t'i pranuar refugjatët në shoqëri. Se sa do të mbajë kjo, nuk mund ta thotë askush. Por kjo është tepër e rëndësishme, që ky pranim nga shoqëria të mbajë, në mënyrë që të garantojë integrimin afatgjatë të njerëzve.

Çfarë duhet të presim nga vetja dhe çfarë nga emigrantët , në mënyrë që integrimi të jetë i suksesshëm?

Në këtë moment tek të dy palët ekziston vullneti i madh për t'iu afruar njëri-tjetrit. Këtë gjendje ne duhet ta mbajmë për një kohë të gjatë përtej momentit të emocioneve. Sepse integrimi i refugjatëve është një detyrë, që do të na shoqërojë në dekadat e ardhshme. Të dyja palët e kanë këtë përgjegjësi. Shumica e refugjatëve janë një herë të lumtur që janë në siguri dhe ata shpresojnë që të gjejnë një perspektivë këtu. Ne duhet të jemi të kujdesshëm që kjo shpresë të mos kthehet dikur në zhgënjim, kur ata të kuptojnë se ajo ndoshta nuk arrihet. Dhe për popullatën gjermane duhet parë, që gatishmëria për ndihmë të mos kthehet në zhgënjim, kur të kuptojë se jo çdo gjë shkon në mënyrë perfekte, se jo çdo refugjat është përjetësisht mirënjohës, por që si në çdo bashkëjetesë duhet të tregojë tolerancë, që gjërat edhe do të ndryshojnë dhe se duhet të përshtaten me njëri-tjetrin.

Franziska Woellert punon në Institutin e Berlinit për Popullsinë dhe Zhvillimin. Ajo është bashkëautore e studimit "Potenciale të reja" të vitit 2014 mbi gjendjen e integrimit në Gjermani.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat