BE: Përpjekje këmbëngulëse për ndarjen e refugjatëve

Bota

BE: Përpjekje këmbëngulëse për ndarjen e refugjatëve

Më: 10 nëntor 2015 Në ora: 09:42

BE nuk është në gjendje të marrë vendime të reja për kufizimin e krizës së refugjatëve. Ai është i detyruar edhe më tej t'i nxisë për veprim shtetet anëtare, në mënyrë që t'u përmbahen të paktën premtimeve të mëparshme.

Nuk ka një rregullim që të vlejë në të gjithë BE për mbrojtjen e refugjatëve sirianë të luftës. Thomas de Maiziere, ministri i Brendshëm gjerman thotë: "Duhet ta mbajmë presionin në kazan" dhe ka parasysh me këtë presionin ndaj kolegëve të tij evropianë, të cilët zvarrisin zbatimin e vendimeve tashmë të marra në politikën ndaj refugjatëve. Tani do të shihet nëse në fund të muajit do të jenë më në fund në gjendje pune në Greqi qendrat e planifikuara të regjistrimit, të ashtuquajturat hotspots, thotë ministri i Brendshëm gjerman.

Edhe shpërndarja e grupit të parë prej 160.000 refugjatësh ecën shumë ngadalë. Madje të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me sabotim të vendimit të papreferuar: vetëm 135 refugjatë janë dërguar nga Italia dhe Greqia në vende të tjera të BE. Por kjo shpërndarje e parë vullnetare parashikohet të kthehet në një mekanizëm të përhershëm: kështu dëshirojnë Gjermania, Suedia dhe Austria. Dhe këtu shpresohet që këmbëngulja do të sjellë në plan afatmesëm një shumicë në Këshillin Evropian - sepse një vendim njëzëri nuk e pret më askush përballë rezistencës së evropianolindorëve.

Qeveria suedeze ndërkohë ka tërhequr frenën e emergjencës dhe kërkon të përfshihet në shpërndarjen që po vazhdon të refugjatëve. "Jemi në kufi të kapacitetit tonë", thotë ministri i Brendshëm i Suedisë, Stefan Studt. Vendi i tij ka pranuar tashmë më shumë refugjatë për numër banorësh se ç'ka pranuar çdo vend tjetër evropian. Por qeveria suedeze ndodhet nën presion të brendshëm politik dhe kërkon që të paktën simbolikisht, disa qindra refugjatë që kanë shkuar në Suedi të shpërndahen në shtete të tjera të BE.

Shumë afganë

"Ne mund të pranojmë vetëm personat me të vërtetë në nevojë në Evropë", thekson ministri i Brendshëm gjerman sërish në takimin e ministrave në Bruksel. Ai i kërkon BE që të negociojë më në fund me vendosmëri një marrëveshje riatdhesimi me Afganistanin. Qeveria e Kabulit është në parim dakord që t'i pranojë qytetarët e saj, që të nënshkruajë një marrëveshje ripranimi, thuhet në Bruksel. Afganët janë për nga madhësia grupi i dytë i refugjatëve në BE pas sirianëve.

Ritme të shpejta

Ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner i bën shumë të qarta synimet e saj: "Duhet të arrijmë një qetësim të rrymave të refugjatëve". Çdo ditë në Austri vijnë 7000 deri 8000 refugjatë ose kalojnë përmes Austrisë, tha ajo.

Ajo kërkon më tej forcimin e kufijve të jashtëm: "Një Evropë pa kufij të brendshëm mund të ekzistojë vetëm me kufij të jashtëm të sigurtë", thekson ministrja e Brendshme e Austrisë. "Eshtë mit që kufiri detar midis Turqisë dhe Greqisë nuk mund të sigurohet", Greqia ka një marinë të fortë, që mund të angazhohet. "Ne duam ta ruajmë Shengenin, po koha po na mbaron", thotë Thomas de Maiziere.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat