Artisti kinez viziton kampin e refugjatëve në Idomeni

Bota

Artisti kinez viziton kampin e refugjatëve në Idomeni

Më: 10 mars 2016 Në ora: 17:43

Artisti kinez dhe aktivisti për të drejtat e njeriut, Ai Weiwei, ka vizituar kampin që gjendet në kufi mes Greqisë dhe Maqedonisë, Idomeni, me stafin e tij. Prej ditësh në këtë kamp qëndrojnë më shumë se 14 mijë refugjatë, të ngecur aty pas mbylljes së kufijve nga vendet ballkanike.

Sllovenia, Kroacia dhe Serbia kanë bërë të ditur rregullat e reja, shtrëngimin e kalimit të emigrantëve e me po të njëjtën mënyrë është përgjigjur edhe Maqedonia, duke mbyllur tërësisht kufijtë e saj duke mos lejuar kalimin e asnjë emigranti.

Artisti Ai eci përqark këtij kampi, duke bashkëbiseduar me emigrantët, për të parë vetë nga afër kushtet në të cilat jetojnë ata dhe përpjekjet ditore për të kaluar kufirin drejt Maqedonisë, e më pas drejt vendeve të tjera të Evropës.

Ai, i njohur në Kinë si një aktivist i thekur i të drejtave të njeriut, tha se ishte dëshmitar i një shkelje të dhunshme të të drejtave të njeriut në zemër të Evropës.

“Ajo çka kemi parë këtu është pothuajse e pamundur. Nëse thoni se këtu jemi në zemër të Europës, me këta njerëz t ngecur këtu në të ftohtë pa asnjë shpresë se do të transferohen diku tjetër, është e pabesue shme. Është shi, është ftohtë, gratë dhe fëmijët presin në radhë për një copë bukë, për ca rroba të thara, është shumë e trishtueshme. Këta njerëz nuk kanë asnjë shpresë sepse i kanë mbyllur kufijtë. Mendoj se kjo është një shkelje e jashtëzakonshme e të drejtave të njeriut. Nuk e di çfarë do të mund të ndodhë në të ardhmen por nga ishulli Lesbos vazhdojnë të vijnë njerëz çdo ditë. Askush nuk ju thotë atyre çfarë të bëjnë, ku të rrinë ndërsa këta njerëz rrinë me shpresën se do të shkojnë në Gjermani apo ndonjë shtet tjetër. Por mendoj se e ardhmja e tyre po bëhet edhe më e zezë” tha ai.

Mijëra refugjatë janë larguar nga lufta dhe varfëria në Lindjen e Mesme dhe që nga mesi i vitit 2015, ata kanë përshkruar rrugë të rrezikshme, tokësore dhe detare, nga Turqia në Greqi, për tu zhvendosur më pas në Gjermani. Më shumë se 34 mijë refugjatë kanë mbetur të bllokuar në ishujt grekë. Se çfarë do të ndodhë, ajo mbetet për t’u parë se çfarë do të vendoset në 17-18 mars.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat