Terrori kundër Turqisë

Bota

Terrori kundër Turqisë

Më: 23 gusht 2016 Në ora: 16:17
Tërheqja e IS nga Manbixh në Siri

Cilat janë synimet e "Shtetit Islamik" në rajon? Sulmet në Turqi kanë hapur debate edhe për strategjinë dhe taktikën e organizatës terroriste. Ajo po përpiqet ta shtrijë terrorin edhe në Turqi. Por cilat janë shkaqet

"Deri në fund", do të luftojë vendi i tij kundër organizatës teroriste "Shteti Islamik" (IS), kumtoi ministri i Jashtëm turk Mevlüt Cavusoglu. Ndërkohë që Turqia do të mbështesë edhe vendet dhe grupet e tjera që luftojnë kundër milicëve xhihadistë. Një ditë më parë një sulmues kamikaz vrau në një dasëm të paktën 54 vetë. Kryeministri Binali Yildirim tha se Turqia ende nuk ka të dhëna për sfondin e këtij sulmi.

Turqia ka qenë në javët dhe muajt e fundit shpesh në shënjestër të terroristëve. Më 28 qershor u sulmua nga një grup terrorist edhe aeroporti në Stamboll. 45 vetë janë vrarë dhe 200 janë plagosur. Në mars u sulmua edhe qendra e Stambollit, ku parakalojnë shumë turistë të huaj. Tre izraelitë dhe tre iranianë gjetën vdekjen si pasojë. Mendohet se këtë sulm e ka kreyr IS, sikur edhe një sulm tjetër më 12 janar.

IS nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e fundit. Por gjurmët janë të ngjashme ashtu si edhe në sulmet e tjera të kësaj organizate, thotë eksperti Serhat Erkmen, për Deutsche Welle-n. Ndonëse IS nuk ka ndonjë shkak strategjik për sulme dhe atentate në Turqi. Kjo organizatë ka dy kundërshtarë të tjerë të mëdhenj, kurdët e mbështetur nga SHBA-ja në Siri, në Irak si dhe trupat irakiane. "Ndaj strategjia e sulmeve dhe e futjes së Turqisë në kaos nuk ka asnjë kuptim".

Roli i dyfishtë i Turqisë

Gjatë luftës së Sirisë, Turqia po futet gjithnjë e më shumë në një konflikt interesash. Në njërën anë ka deklaruar në fillim se e do rrëzimin e Presidentit Baschar al-Assad dhe regjimit të tij. Dhe për këtë arsye ka mbështetur ekstremistët sunitë. "Qëllimi ishte që të mbështesë të gjitha forcat që janë kundër Presidentit Baschar al-Assad", shpjegonte eksperti Wilfried Buchta, për revistën "Der Spiegel". "Në këtë kontekst është e mundur që Turqia e ka mbështetur në forma sekrete edhe IS-in, të paktën në logjistikë."

Njëkohësisht Ankaraja sheh me shqetësim, se kurdët e kanë shtuar influencën në veri të Sirisë dhe në veri të Irakut. Ata kanë arritur t'i zgjerojnë territoret nën kontrollin e tyre. Qeveria turke ka frikë se kurdët në fund do të themelojnë shtetin e tyre. Kjo mund të nxiste që edhe kurdët në Turqi të kërkojnë më shumë autonomi dhe pavarësi. Ky shqetësim, sipas ekspertit Michael Lüders, e ka ndryshuar strategjinë turke gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës.

Kurdët si armik i përbashkët

IS-i e ka trajtuar në fillim Turqinë si një partnere. Këtë e kanë deklaruar edhe komandantët e IS-it në korrik të vitit 2014 për revistën "Newsweek". "Kjo do të thotë se ata kanë pasur një bashkëpunim të ngushtë. IS-i e ka përjetuar Turqinë si aleate në luftën kundër kurdëve. Kurdët kanë qenë armik i përbashnkët e Turqisë dhe IS-it."

Kjo aleancë është shkatërruar. Turqia është distancuar nga IS, që kjo organizatë e konsideron si shpallje të luftës dhe e ka renditur Turqinë ndër armiqtë e saj. IS në luftën kundr Turqisë po përdor armët që i përdor gjithandej - terrorizmin.

Sulmi i fundit kundër dasmorëve ka dy qëllime: nxitjen edhe më shumë të kurdëve kundër Turqisë, sepse ajo nuk po bën sa duhet për mbrojtjen e qytetarëve kurdë. E në anën tjetër IS do që të fitojë simpatizantë në mesin e nacionalistëve turq, të cilët janë kundër kurdëve. Ndërkohë që në këtë mënyrë lidh një lloj koalicioni edhe me sunitët radikalë.

Se ku do të çojë kjo strategji në shtigje afatgjata, duket qartë: IS ndodhet gjithandej - nga Iraku e deri në Libi - në tërheqje e sipër. IS nuk ka ndonjë të ardhme. Fitorja e vetme që i mbetet është që të përhapë frikë me sulmet terroriste. Kjo po ndodh edhe me sulmet e fundit./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat